FLASH :

Video/Protesta të dhunshme në Irlandën e Veriut pas arrestimit të dy adoleshentëve rumunë të akuzuar për tentativë përdhunimi

Irlanda e Veriut është përfshirë nga trazira të dhunshme mbrëmjen e së hënës, pasi dy djem 14-vjeçarë u paraqitën në gjykatë me akuzën për tentativë përdhunimi ndaj një vajze adoleshente në zonën Clonavon Terrace të Ballymena-s, në Co Antrim. Të rinjtë, që kërkuan përkthyes në gjuhën rumune gjatë seancës, u paraqitën përmes videolidhjes nga qendra e të miturve “Woodlands” dhe mohuan akuzat.

Pas arrestimit, rreth 2,500 persona u mblodhën në lagjen Harryville në një protestë që shumë shpejt u kthye në dhunë dhe vandalizëm. Pamje në rrjetet sociale treguan turma që marshonin drejt vendit ku ndodhi ngjarja, ndërsa u ngritën barrikada, u ndezën zjarre dhe u sulmuan policët me sende të forta, bomba molotov dhe bojë. Një makinë policie u dëmtua rëndë dhe prona të ndryshme u vandalizuan nga të rinj me maska.

Në vendngjarje u mobilizua një numër i madh forcash policore dhe zjarrfikëse. Policia e Irlandës së Veriut (PSNI) njoftoi se do të qëndrojë në zonë përgjatë gjithë natës për të garantuar sigurinë publike dhe për të shmangur përshkallëzimin e dhunës.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithëve të qëndrojnë të qetë dhe të veprojnë me përgjegjësi. Dhuna vetëm sa rrit rrezikun për komunitetin”, tha Shefja e Policisë, Sue Steen.

Dy të miturit u lanë në paraburgim dhe pritet të paraqiten sërish në Gjykatën e Ballymena më 2 korrik. Rasti ka ndezur tensione të thella sociale dhe etnike, ndërsa autoritetet kërkojnë që situata të mos keqpërdoret për qëllime ekstremiste apo ksenofobe.