Rusia ka kryer sulme ajrore të përmasave të mëdha gjatë natës në qytetet ukrainase të Kievit dhe Odesës, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturën civile. Një burrë 59-vjeçar humbi jetën në Odesa, ndërsa të paktën 8 persona janë plagosur në të dy qytetet, raportojnë autoritetet lokale.
Guvernatori i Odesës, Oleg Kiper, konfirmoi se mes objektivave të goditura nga dronët rusë ishin edhe një maternitet, një dhomë urgjence si dhe ndërtesa banimi. “Fatmirësisht, spitali u evakuua në kohë”, deklaroi ai, ndërsa forcat zjarrfikëse po luftojnë me flakët në disa zona.
Edhe në Kiev situata ishte alarmante. Kryebashkiaku Vitali Klitschko raportoi për shpërthime të shumta në lagjen Darnytsky, ku një ndërtesë u përfshi nga zjarri dhe një qytetar u plagos. Një tjetër person u lëndua në lagjen Shevchenkivsky. Në kryeqytet janë dëgjuar mbi 12 shpërthime dhe zhurma e dhjetëra dronëve, duke shkaktuar panik te banorët.
Sulmet e fundit vijnë në një moment kur ofensiva ajrore ruse ndaj Ukrainës është intensifikuar ndjeshëm, teksa lufta ka hyrë në vitin e saj të katërt pas pushtimit të nisur në shkurt 2022.







