Tension në Jalë, ku banorët kanë dalë në protestë kundër ndërhyrjes së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe forcave të Policisë së Shtetit. Operacioni i nisur për prishjen e disa objekteve të konsideruara pa leje ka hasur në rezistencën e banorëve, të cilët pretendojnë se ndërtesat janë ndërtuar mbi pronat e tyre të trashëguara dhe me dokumente të rregullta.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë përplasje verbale mes banorëve dhe punonjësve të IKMT-së, ndërsa në terren janë shfaqur edhe forca të shumta policore për të garantuar vijimin e operacionit. Sipas banorëve, aksioni është i njëanshëm dhe po kryhet në sezonin turistik, duke dëmtuar rëndë ekonominë e zonës që mbështetet në të ardhurat nga turizmi.
Nga ana tjetër, IKMT deklaron se aksioni është pjesë e një fushate më të gjerë për lirimin e hapësirave publike dhe ndalimin e ndërtimit të paligjshëm në zonat bregdetare. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim të detajuar për numrin e objekteve të planifikuara për shembje.
Banorët paralajmërojnë se do të vijojnë protestat dhe do të ndjekin rrugët ligjore për të kundërshtuar vendimet që i konsiderojnë të padrejta. Situata mbetet e tensionuar.







