Një burrë i dhunshëm, i kapur më herët nga kamerat e derës së shtëpisë duke sulmuar banesën e ish-të dashurës së tij, u rikthye vetëm disa orë pasi u lirua nga policia dhe ia vuri zjarrin shtëpisë.
Adrian West, 61 vjeç, kishte ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj Louise Simpson, 53 vjeç, gjatë vitit të kaluar – duke e mbytur dhe rrahur fizikisht – derisa ajo më në fund e përzuri nga shtëpia e saj në Crawley, Sussex, më 13 shtator.

I tërbuar që ajo i kishte dhënë fund lidhjes, West u rikthye më vonë atë ditë dhe i theu kamerën e derës me një gur – incident që u kap nga kamera dhe çoi në arrestimin e tij dhe qëndrimin një natë në paraburgim.
Por, pasi u lirua të nesërmen pa asnjë akuzë, West u kthye dhe i vuri zjarrin verandës, flakët e së cilës përfshinë të gjithë shtëpinë.
Zonja Simpson, që ishte në gjumë, u zgjua nga fqinjët dhe u përpoq të shpëtonte teksa dhoma e saj mbushej me tym të zi.

Qeni i saj i dashur, bulldogu britanik Peggy, ishte paralizuar nga frika nën shtrat. E paaftë ta ngrinte, ajo u detyrua ta linte pas për të shpëtuar jetën e saj.
West u dënua me gjashtë vjet burg pasi pranoi fajësinë për zjarrvënie dhe disa akuza për dhunë fizike ndaj zonjës Simpson, e cila rrëfen se i kishte paralajmëruar policët se ai do të rikthehej nëse lirohej.
“Policia erdhi dhe e arrestoi. Po qaja me të madhe dhe thashë: ‘S’dua ta shoh më kurrë pranë meje’. Më telefonuan në mëngjes dhe më thanë se do ta lironin pa asnjë veprim tjetër.”
Kur ajo pyeti ç’të bënte tani, ata i thanë: “S’mund të bëjmë gjë përveç nëse ai bën diçka tjetër.”


Policia e Sussex-it tha se nuk mund të vazhdonin hetimet sepse Simpson nuk kishte firmosur deklaratën që kishte dhënë.
E frikësuar, ajo e bllokoi derën me një kuti veglash dhe grumbulloi ushqime për disa ditë.
Por, ndërsa po flinte një ditë më vonë, në orën 15:16 u zgjua nga thirrjet e fqinjëve që i thoshin se shtëpia po digjej.
Ajo përpiqej me dëshpërim të shpëtonte Peggy-n, por qeni nuk lëvizte nga frika. “Nëse ajo vendoste të mos lëvizte, s’e lëvizje dot. S’po merrja dot frymë, ndaj u detyrova të zbres shkallët.”
Pasi hapi derën, i lutej fqinjëve ta ndihmonin të kthente mbrapsht për të marrë qenin, por ata i thanë të largohej menjëherë.

Zjarrfikësit e nxorën Peggy-n nga shtëpia por nuk mundën ta ringjallnin. Ekspertët forensikë më pas thanë se West kishte përdorur lëndë ndezëse white spirit për të përshpejtuar zjarrin.
Pas ngjarjes, Simpson u zhvendos te djali i saj, Connor, 28 vjeç. “Për katër-pesë ditë nuk haja, nuk lahesha, nuk lëvizja nga divani. Vetëm qaja. Nuk e besoja dot çfarë kishte ndodhur.”
Aktualisht ajo qëndron mes shtëpisë së djalit dhe një mikeje në Crawley. Bashkia i ofroi një strehim të përkohshëm, por ajo dëshiron të kthehet në shtëpinë e saj pasi të riparohet brenda një viti.
Ajo kishte humbur gjithçka: fotografi personale, hirin e nënës, një furçë flokësh me flokët e saj, një lodër në formë elefanti e bërë nga rrobat e nënës nga nusja e saj dhe rrobat e fëmijërisë së djalit që i ruante për nipërit.

West, pa adresë të qëndrueshme, pranoi fajësinë në Gjykatën e Kurorës në Lewes më 2 maj për: zjarrvënie me qëllim, dëmtim prone, mbytje jo-fatale, sulm të zakonshëm dhe dy raste dhune fizike me pasoja.
Ai u dënua me 6 vjet e 3 muaj burg.
Duke iu drejtuar atij në gjykatë, Simpson tha:
“Asnjë dënim s’do të rikthejë shtëpinë time, kujtimet e mia, apo Peggy-n time të bukur. Ti do e kryesh dënimin dhe do dalësh i lirë. Unë kurrë s’do jem e lirë nga ajo që më bëre. Ky është dënimi i përjetshëm që më dhe.”

Simpson u shpreh e shkatërruar që vdekja e qenes së saj nuk u mor parasysh në vendimin e gjykatës dhe tashmë po bën fushatë që kafshët shtëpiake të konsiderohen si qenie ndjesore, jo si prona.
“Peggy u trajtua sikur të ishte një raft librash. Ajo ishte gjithçka për mua. Në çdo gjë që kalova me të, ajo ishte pranë meje – mikja ime më e ngushtë.”
Ministria e Drejtësisë tha se nuk ka plane për të ndryshuar ligjin.
Një zëdhënës i policisë së Sussex deklaroi: “West u arrestua më 13 shtator 2024 për dëmtim prone dhe kaloi natën në paraburgim. Ai u lirua pa akuza pasi viktima nuk pranoi të firmoste deklaratën në atë kohë.”







