FLASH :

Bulqizë/ Alarm në fermën e Valit të Martaneshit: Murtaja ngordh 150 bagëti, rrezikohen edhe 700 të tjera

Një vatër e re murtaje ka shpërthyer në fshatin Val të Martaneshit në Bulqizë, duke shkaktuar ngordhjen e mbi 150 krerëve bagëti të imta dhe duke vënë në rrezik të gjithë tufën, e cila përbëhet nga afro 700 krerë. Sëmundja, e cila godet kryesisht delet dhe dhitë, është identifikuar si murtaja e bagëtive të imta – një infeksion i rëndë dhe tejet ngjitës.

Specialistë nga Drejtoria Rajonale e Ekstensionit Bujqësor Dibër, si dhe shërbimi veterinar i qarkut dhe bashkisë Bulqizë, janë angazhuar menjëherë në terren për izolimin dhe kontrollin e situatës. Masat përfshijnë inspektime të vazhdueshme, grumbullim mostrash për analiza dhe dezinfektimin e zonës.

Rasti në Val pason një tjetër vatër në Postribë të Shkodrës më 3 qershor, ku pas analizave laboratorike në Tiranë u konfirmua prania e së njëjtës sëmundje. Shërbimi Veterinar në Kukës ka bërë të ditur se ka dyfishuar përpjekjet për informimin dhe sensibilizimin e fermerëve, me qëllim shmangien e përhapjes së mëtejshme të infeksionit në zonat e tjera blegtorale.

Çfarë është murtaja e bagëtive?
Murtaja është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek kafshët e imta, veçanërisht delet dhe dhitë. Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, rrjedhje nga sytë dhe hunda, kollë, diare, dhe vështirësi në frymëmarrje. Përhapja ndodh kryesisht përmes kontaktit të drejtpërdrejtë dhe ajrit të ndotur në ambiente të mbyllura.

Autoritetet bëjnë thirrje për vigjilencë dhe bashkëpunim nga ana e fermerëve, duke njoftuar menjëherë për çdo rast të dyshimtë.