Një gazetare australiane është plagosur nga një plumb gome teksa raportonte nga protestat e dhunshme që kanë përfshirë qytetin e Los Angeles në SHBA. Lauren Tomasi, korrespondente amerikane e kanalit 9News, u godit në këmbë nga një oficer policie gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në qendër të qytetit.
Incidenti ndodhi në ditën e tretë të protestave kaotike, të cilat shpërthyen pas një vale arrestimesh të emigrantëve të paligjshëm në të gjithë vendin. Turmat e zemëruara u përplasën me forcat e rendit, ndërsa pjesë të qytetit u kthyen në skena dhune, bllokadash dhe përleshjesh.
Tomasi ndodhej në vijën e parë të protestave përreth qendrës së paraburgimit të qytetit kur u qëllua papritmas me një plumb gome. “Sapo qëllove gazetaren, o idiot i mallkuar!”, dëgjohet një zë i panjohur në sfond, pak sekonda para se transmetimi të ndërpritej dhe të dëgjoheshin britmat e saj.
Ky incident ka ngjallur reagime të forta në rrjetet sociale dhe ka shtuar shqetësimet për lirinë e shtypit dhe përdorimin e tepruar të forcës nga policia ndaj gazetarëve gjatë mbulimit të protestave në SHBA.







