FLASH :

Rusia pretendon se ka hyrë në rajonin qendror të Ukrainës – Ukraina mohon përparimin

Rusia ka deklaruar të dielën se trupat e saj kanë depërtuar për herë të parë në rajonin qendror të Dnipropetrovskut, një zonë strategjike që Moska është përpjekur ta arrijë për muaj me radhë. Nëse konfirmohet, kjo do të ishte një goditje e rëndë për forcat ukrainase, të cilat tashmë po përballen me sulme të përhapura në disa fronte.

Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, nënnjësi të Divizionit të 90-të të tankeve kanë arritur në kufirin midis rajoneve të Donetskut dhe Dnipropetrovskut, dhe më pas kanë vijuar avancimin brenda territorit të këtij të fundit. Ukraina e ka mohuar këtë pretendim, ndërsa CNN thekson se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur zhvillimet në terren.

Zëdhënësi i forcave ukrainase Khortytsia, Viktor Trehubov, u shpreh për CNN se “rusët po përhapin vazhdimisht informacione të rreme për hyrjen e tyre nga drejtimet e Pokrovskut dhe Novopavlivkës, por asnjëra prej tyre nuk është e vërtetë.”

Megjithatë, nëse vërtetuar, përparimi rus mund të përbëjë një tjetër krizë për forcat ukrainase, veçanërisht në një moment kur bisedimet e paqes janë ngërçuar. Ndërkohë, Rusia ka shënuar lëvizje të ngadalta por të qëndrueshme edhe në rajonin verior të Sumit dhe afër Lymanit në Donetsk.

Presion mbi Pokrovskun dhe situata në terren

Qyteti kyç i Pokrovskut vazhdon të jetë një prej pikave më të nxehta të frontit. Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi se trupat e saj kanë ndalur 65 sulme ruse në drejtim të këtij qyteti vetëm në 24 orët e fundit. Megjithatë, sipas një vlerësimi nga Instituti për Studimin e Luftës (ISW), rusët kanë vazhduar operacionet pa arritur ndonjë përparim domethënës.

Aktualisht, Rusia kontrollon afro një të pestën e territorit të Ukrainës – përfshirë Krimenë dhe zonat e pushtuara që para fillimit të luftës më 2022. Rajoni i Dnipropetrovskut kufizohet me tre rajone pjesërisht të pushtuara: Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia – tre objektiva të shpallura publikisht nga Moska.

Ky rajon është më rural dhe më pak i populluar se zonat e tjera të Donbasit, por me rëndësi strategjike për minierat dhe logjistikën, me një popullsi para luftës prej rreth 3 milionë banorësh.

Konflikti përshkallëzohet – bisedimet në ngërç

Sipas CNN, lufta është intensifikuar ndjeshëm javët e fundit. Ukraina ka ndërmarrë sulme të guximshme me dronë brenda territorit rus, përfshirë një goditje ndaj urës që lidh Rusinë me Krimenë. Nga ana tjetër, Rusia ka rritur presionin në vijën e frontit, duke përfituar nga ngadalësimi i bisedimeve për paqe.

Të hënën, delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë u takuan në Stamboll për një raund tjetër bisedimesh, por ato zgjatën vetëm një orë dhe nuk sollën ndonjë përparim të dukshëm.

Trump: “Do jem i ashpër me të dyja palët”

Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump ka zgjedhur një qasje joortodokse në raport me luftën, duke shmangur vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë dhe madje duke sugjeruar se edhe Ukraina mund të ndëshkohet nëse konflikti nuk përfundon.

“Ngjan sikur dy fëmijë po rrihen në park. Ndonjëherë është më mirë t’i lejosh të rrihen pak dhe më pas t’i ndash,” deklaroi Trump, duke krahasuar luftën në Ukrainë me një grindje fëmijësh.

Ai shtoi se do të dijë vetë kur është momenti i duhur për sanksione dhe nuk përjashtoi përdorimin e masave ndëshkuese ndaj të dyja palëve nëse konflikti vazhdon.

Kjo deklaratë vjen në një moment kritik për Kievin, i cili po përpiqet të mbajë vijat e frontit nën kontroll dhe të fitojë mbështetje të qëndrueshme ndërkombëtare përballë agresionit rus.