Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e së shtunës në Vicenza të Italisë, ku një 16-vjeçar me origjinë shqiptare është plagosur me thikë në kraharor pranë qendrës historike të qytetit.
Adoleshenti ndodhet aktualisht i shtruar në repartin e terapisë intensive pediatrike të spitalit të Vicenzës. Sipas mjekëve, ndonëse gjendja e tij është serioze, jeta nuk i rrezikohet.
Nga hetimet paraprake të policisë italiane, dyshohet se autor i sulmit mund të jetë një bashkëmoshatar i të plagosurit, ndërsa si pistë kryesore po shqyrtohet ajo e një grabitjeje të dështuar që përfundoi në gjakderdhje. Megjithatë, nuk përjashtohen as motive të tjera.
Ngjarja ndodhi në zonën e via Cattaneo, një rrugë mjaft e frekuentuar për shkak të parkimit të madh aty pranë. Pikërisht kalimtarët që dëgjuan thirrjet për ndihmë njoftuan shërbimin emergjent Suem 118, i cili mbërriti me urgjencë në vendngjarje dhe i dha të miturit ndihmën e parë.
Policia pret dëshminë e vetë të plagosurit, banor i qytetit, për të zbardhur më shumë rreth rrethanave të ngjarjes.







