FLASH :

Dy botë të ndryshme/ Fëmijet në Gaza nën terrorin e bombave, ata izraelitë shëtisin me anije

Ndërsa trupat e gjashtë fëmijëve palestinezë përpëliten nga dhimbjet në një dhomë spitali në Khan Younis, pas një sulmi izraelit mbi çadrat e të zhvendosurve në zonën e Mawasit, disa qindra kilometra larg një tjetër skenë u bë virale: fëmijë izraelitë të buzëqeshur në një varkë që i drejtohen me ironi aktivistes Greta Thunberg.

Pamjet nga Gaza janë të padurueshme. Fëmijët, të cilët bashkë me familjet e tyre ishin strehuar në një zonë që më parë ishte shpallur si “zonë e sigurt”, u plagosën rëndë kur bombardimet izraelite goditën strehimin e tyre të përkohshëm. Spitalet, të mbingarkuara dhe me mungesa të thella në furnizime, vështirë se arrijnë të përballojnë fluksin e të plagosurve – shumica civilë, shumë prej tyre të mitur.

Por ndërkohë që këta fëmijë luftojnë për jetën, një tjetër video po përpiqet të rrëfejë një histori krejt të ndryshme. Ish-zëdhënësi i shtetit të Izraelit, Eylon Levy, postoi një video ku fëmijë izraelitë, në mënyrë të organizuar dhe të udhëzuar, shfaqen duke akuzuar Thunberg se mbështet terrorizmin. Ata i bëjnë thirrje asaj të dënojë Hamasin dhe jo Izraelin, duke përsëritur narrativën zyrtare se ndihmat humanitare në Gaza devijohen nga grupet militante dhe jo pengohen nga rrethimi ushtarak.

Kjo përballje – mes viktimave reale dhe viktimave të parafabrikuara të propagandës – është më shumë se një ironi tragjike. Është dëshmi se si lufta për narrativën është bërë po aq brutale sa lufta në terren. Në një anë, fëmijët e gjakosur dhe të traumatizuar të Gazës që kërkojnë shpëtim. Në anën tjetër, fëmijë që shërbejnë si zëdhënës të një propagande shtetërore, të përdorur për të heshtur zëra kritikë ndërkombëtarë.

Në fund, pyetja nuk është se kush po i fiton këto beteja simbolike, por sa kohë do të zgjasë indiferenca globale përballë dhimbjes që nuk ka nevojë për dublantë.