Arkeologët kanë zbuluar skelete 6,000-vjeçare në Kolumbi që i përkisnin një grupi misterioz njerëzish, të cilët mund të rishtesin historinë e njerëzimit.

Mbetjet, të zbuluara në sitin parakeramik antik të Checua pranë Bogotás, i përkisnin gjuetarëve-mbledhës, ADN-ja e të cilëve nuk përputhet me asnjë popullsi autoktone të njohur të rajonit sot.
Përkundrazi, gjurmët e tyre gjenetike zbulojnë një linjë të veçantë dhe tashmë të zhdukur, e cila mund të ketë zbritur nga njerëzit më të hershëm që arritën në Amerikën e Jugut – një degë që u nda shumë herët nga grupet e tjera dhe mbeti e izoluar gjenetikisht për mijëra vjet.
Duke analizuar ADN-në antike të 21 individëve që jetuan në Altiplanon e Bogotás midis 6,000 dhe 500 viteve më parë, studiuesit rindërtuan një vijë të rrallë kohore gjenetike që përfshin afro gjashtë mijëvjeçarë.
Mostrat e ADN-së, të nxjerra nga kocka dhe dhëmbë, tregojnë se individët më të hershëm në Checua mbanin një profil gjenetik unik që është zhdukur plotësisht nga fondi gjenetik i sotëm.
Linja e tyre nuk u përzie thjesht me të tjerët – ajo u zhduk plotësisht.
“Kjo zonë është kyçe për të kuptuar se si u popullua Amerika,” tha Kim-Louise Krettek, autore kryesore e studimit dhe doktorante në Qendrën Senckenberg për Evolucionin Njerëzor në Gjermani.

“Ajo ishte një urë toke mes Amerikës së Veriut dhe Jugut dhe pika ku takoheshin tre rajone të mëdha kulturore: Mesoamerika, Amazonia dhe Andet.”
Nga pikëpamja gjenetike, këta njerëz të hershëm nuk ishin të lidhur me grupe të tjera të lashta në Amerikën e Jugut, si ato të zbuluara në Kili apo Brazil, dhe as nuk ndanin origjinë me popullsitë e hershme të Amerikës së Veriut, përfshirë ato nga Ishujt Channel në Kaliforni.
Studimi ofron gjithashtu njohuri të reja për zonën e quajtur Isthmo-Kolumbiane, një zonë tranzicioni kulturor dhe gjenetik që shtrihet nga Hondurasi, përmes Panamasë, e deri në Andet veriore të Kolumbisë.
“Rezultatet tona tregojnë se individët e Checua vinin nga popullsia më e hershme që u përhap dhe u diferencua shumë shpejt në Amerikën e Jugut,” shpjegoi Krettek.

“Nuk gjetëm pasardhës të këtyre gjuetarëve-mbledhës të lartësive kolumbiane. Gjenet e tyre nuk janë trashëguar. Kjo do të thotë se në zonën rreth Bogotás ka ndodhur një zëvendësim i plotë i popullsisë.”
Rreth 2,000 vite më parë, peizazhi gjenetik i lartësive të Bogotás ndryshoi ndjeshëm.
Linja unike që u gjet tek mbetjet më të hershme të Checua-s u zhduk, duke u zëvendësuar nga një popullsi e re me ADN të ngjashme me atë të panamezëve të lashtë dhe grupeve moderne që flasin gjuhën Chibchan në Kosta Rika dhe Panama.
Andrea Casas-Vargas, bashkautore dhe kërkuese në Universitetin Kombëtar të Kolumbisë, tha se provat gjenetike sugjerojnë se kultura që pasoi në Altiplano mbërriti me migrantë nga Amerika Qendrore. Së bashku me përparime teknologjike si qeramika, këta migrantë ka të ngjarë të kenë sjellë edhe gjuhët Chibchan në atë që sot është Kolumbia.
“Disa degë të kësaj familjeje gjuhësore fliten ende sot në Amerikën Qendrore,” tha Casas-Vargas.
Ajo vuri në dukje gjithashtu se zhdukja e plotë e gjurmëve gjenetike të një popullsie është e rrallë në Amerikën e Jugut.
“Deri më tani, është vënë re një vazhdimësi e fortë gjenetike në popullsitë e Andeve dhe të konit jugor të Amerikës së Jugut për periudha të gjata dhe pavarësisht ndryshimeve kulturore,” tha ajo.
Këta ardhacakë të rinj kanë lidhje me Amerikën Qendrore dhe tregojnë se popullsia e lartësive të Bogotás ka ndryshuar ndjeshëm me kalimin e kohës.
Ata sollën me vete traditën Herrera – një kulturë e njohur për prodhimin e qeramikës dhe bujqësinë e hershme. Pasardhësit e tyre ndihmuan në formimin e qytetërimit Muisca, i cili dominoi rajonin deri në ardhjen e spanjollëve në shekullin XVI.
Por ky ndryshim nuk ndodhi përmes lufte apo pushtimi. Arkeologët nuk kanë gjetur prova dhune.
Përkundrazi, ndryshimi mund të ketë ardhur gradualisht, përmes migrimit, shkëmbimeve kulturore apo martesave të përziera.
Me kalimin e kohës, ADN-ja unike e njerëzve të Checua-s u zbeh, u hollua dhe më pas u zhduk plotësisht.
Shkencëtarët analizuan si ADN-në amtare, ashtu edhe markues të gjerë gjenetikë për të ndjekur prejardhjen. Edhe pse meshkujt e Checua-s mbanin një gjurmë të zakonshme të ADN-së Y të amerikanëve vendas (Q1b1a), profili i tyre i përgjithshëm gjenetik tregoi izolim të thellë dhe asnjë lidhje me popullsitë e mëvonshme.
Grupet që jetuan më vonë në këtë pllajë kishin lidhje më të forta me Venezuelën dhe Amerikën Qendrore, duke sugjeruar se rajoni përfundimisht u bë pjesë e një rrjeti më të gjerë që përfshinte veriun e kontinentit.
Edhe pse gjuhët Chibchan fliten ende në Kosta Rika, Panama dhe Kolumbinë veriore, popullsitë indigjene të sotme të Kolumbisë nuk janë pasardhës të drejtpërdrejtë të Checua-s – dhe as të njerëzve Herrera të lidhur me ta.






