Në Maqedoninë e Veriut, qeveria ka nisur një nga politikat më ambicioze për rigjallërimin e zonave rurale në rajon: çiftet e reja nën 40 vjeç që zhvendosen në fshat për të jetuar dhe punuar në bujqësi përfitojnë deri në 100 mijë euro grant. Politika është e qartë: nëse angazhohesh të jetosh e punosh në fshat për 10 vjet, shteti të mbështet deri në 80% të shpenzimeve për shtëpi, tokë, bagëti, ose makineri bujqësore. Nëse e thyen marrëveshjen, grantin e kthen.
Përveç kësaj, Maqedonia e Veriut ofron grante të tjera prej 20 mijë eurosh për të rinjtë që nisin aktivitete bujqësore apo pyjore, me theks të veçantë te përfshirja e grave dhe mikrondërmarrjeve në zonat rurale. Politika është e ndërtuar me vizion: t’u japë të rinjve arsye për të qëndruar, jo për të ikur.
Në Shqipëri, fshati është lënë në mëshirë të fatit
Ndërkohë në Shqipëri, panorama është e zymtë. Shteti nuk ofron asnjë grant real për të rinjtë që duan të rikthehen në fshat. Subvencionet bujqësore janë minimale, burokratike dhe shpesh të papërfituara. Nafta për bujqësinë tatohet njësoj si për makinat luksoze – nuk ka ende një sistem të mirëfilltë të naftës pa akcizë për fermerët. Edhe energjia elektrike në stalla dhe ferma paguhet me tarifa të kripura, si për një supermarket në qytet.
Shqipëria nuk ka një strategji për kthimin e të rinjve në zonat rurale, nuk ka mbështetje për ata që duan të ndërtojnë jetën aty, dhe mbi të gjitha, nuk ka vizion për zhvillimin e fshatit. Ajo çka ofron qeveria janë vetëm kredi, me kushte të vështira dhe pa asnjë garanci suksesi.
Një kontrast që duhet të na turpërojë
Kur vendet fqinjë, me resurse të ngjashme, kanë filluar ta trajtojnë fshatin si një mundësi për zhvillim ekonomik dhe social, Shqipëria po sillet sikur fshati është një barrë e tepërt. Ndërkohë që Maqedonia e Veriut investon për të sjellë të rinjtë dhe të ardhmen në fshat, Shqipëria i largon me mosinteresimin e saj kronik.
Në vitin 2030, Shqipëria aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Por si mund të synojmë integrimin europian kur nuk jemi në gjendje të konkurrojmë as me fqinjët tanë më të afërt për politika vizionare në bujqësi dhe zhvillim rural?
Është koha për veprim, jo për fjalë. Shqipëria ka nevojë urgjente për:
Një skemë reale me dhënie direkte për të rinjtë që duan të jetojnë në fshat.
Heqjen e akcizës për naftën bujqësore.
Uljen e tarifave të energjisë për fermat dhe stallet.
Një strategji kombëtare për rigjallërimin e zonave rurale.
Pa këto masa, fshati do të vazhdojë të zbrazet, dhe me të do të ikë edhe shpresa për një Shqipëri të qëndrueshme, të balancuar dhe të barabartë. Nëse nuk sfidojmë dot Maqedoninë, si do të guxojmë të sfidojmë Europën?







