Pentagoni ka vendosur të devijojë një komponent kyç të teknologjisë kundërdronë që ishte destinuar për Ukrainën, duke e dërguar atë për forcat amerikane në Lindjen e Mesme. Vendimi, i marrë nga Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe i komunikuar Kongresit më 29 maj, lidhet me “një çështje urgjente të identifikuar nga Sekretari”, sipas një korrespondence të siguruar nga CNN. Bëhet fjalë për fitilë afërsie (proximity fuzes), një komponent që rrit ndjeshëm efektshmërinë e raketave kundër dronëve, duke i shpërthyer ato kur afrohen pranë objektivit.
Këto pajisje ishin blerë fillimisht përmes programit të ndihmës së sigurisë për Ukrainën (USAI), por tani po ridrejtohen për Komandën Qendrore të Forcave Ajrore Amerikane që vepron në rajonin e Lindjes së Mesme, mes kërcënimeve të shtuar nga Irani dhe rebelët Houthi në Jemen. Ndërsa nuk është e qartë se çfarë ndikimi konkret do të ketë ky veprim për mbrojtjen e Ukrainës nga dronët rusë, vendimi sinjalizon një ndryshim strategjik të administratës Trump, e cila po i jep përparësi rajoneve të tjera gjeopolitike mbi konfliktin në Ukrainë.







