Koreja e Veriut ka befasuar botën ushtarake duke rifutur në ujë një destrojer 5 mijë tonësh që u përmbys gjatë lëshimit muajin e kaluar, në një incident që u pa si një dështim spektakolar i përpjekjeve të Phenianit për të modernizuar marinën. Mediat shtetërore raportuan të enjten se anija, megjithëse e dëmtuar, është nxjerrë nga pozicioni katastrofik dhe është ankoruar me sukses për t’u transferuar në një kantier tjetër për riparime të thelluara.
Destrojeri, që sipas liderit Kim Jong Un përfaqësonte krenarinë e re të flotës detare, pësoi një aksident më 21 maj kur pjesa e pasme rrëshqiti para kohe në ujë, duke shkaktuar dëme në trupin e anijes, ndërsa pjesa e përparme mbeti e ngujuar në shtratin e lëshimit. Ngjarja ndodhi në qytetin bregdetar të Chongjin, ku Kim ndodhej personalisht me të bijën, Kim Ju Ae. Ai e quajti incidentin një “akt kriminal” dhe urdhëroi arrestimin e katër personave të dyshuar si përgjegjës.
Megjithatë, brenda vetëm dy javësh, Koreja e Veriut arriti ta rifusë në ujë anijen duke përdorur metoda të pazakonta, përfshirë balona aerostatike për të balancuar strukturën. Analistët, të cilët kishin parashikuar një operacion disa mujor, mbetën të habitur nga shpejtësia dhe efikasiteti i veprimit. “Ata bënë në dy javë atë që ne prisnim të ndodhte për katër deri në gjashtë,” u shpreh ish-kapiteni i Marinës amerikane, Carl Schuster. Tani, anija do të dërgohet në kantierin Rajin për riparime intensive që pritet të zgjasin 7 deri në 10 ditë, në mënyrë që të prezantohet si sukses kombëtar para sesionit plenar të Partisë së Punës në fund të qershorit.
Nëse Pheniani arrin të njëjtin nivel përkushtimi edhe për riparimin e brendshëm të sistemit elektronik dhe makinerive të dëmtuara nga uji i kripur, analistët nuk përjashtojnë mundësinë që kjo anije të jetë gati për prova detare më shpejt nga sa ishte menduar pas aksidentit.







