FLASH :

“Fake Star 5”/Ndalohen shtetasit Ozkan Sulun dhe Lindion Haka.

Policia e Shtetit ka vijuar me intensitet operacionin e koduar “Fake Star 5”, i cili ka si objektiv goditjen e veprimtarive të paligjshme që lidhen me prodhimin dhe tregtimin e veshjeve të falsifikuara me logo të markave ndërkombëtare.

Si rezultat i hetimeve dhe kontrolleve të kryera me mbështetjen e inteligjencës policore, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me komisariatet Nr. 3 dhe Nr. 4 të Policisë së Tiranës ka bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e dy shtetasve të shpallur më herët në kërkim.

Në pranga kanë rënë shtetasi turk O. S., 46 vjeç, i identifikuar si koordinatori i procesit të stampimit të logove false në veshjet e kontrabanduara, si dhe shtetasi L. H., 21 vjeç, bashkëadministrator i një prej magazinave ku kryhej aktiviteti i paligjshëm.

Dy të arrestuarit dyshohen se ishin pjesë aktive në skemën kriminale të magazinimit dhe përpunimit të veshjeve në dy ambiente në fshatin Brrar, ku, sipas hetimeve, iu shtoheshin në mënyrë të paligjshme logot e markave të njohura ndërkombëtare për t’u shitur më pas si produkte origjinale.

Ky zhvillim vjen një ditë pas ndalimit të 4 personave të tjerë dhe procedimit penal në gjendje të lirë të 4 shtetasve të përfshirë në këtë rrjet kontrabande.

Materialet procedurale janë referuar tashmë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme ligjore. Policia deklaron se hetimet vijojnë për identifikimin dhe ndëshkimin e të gjithë personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.