Marius Borg Høiby, djali i princeshës së kurorës së Norvegjisë, është në qendër të një skandali të rëndë ndërsa përballet me akuza të shumta për dhunë seksuale dhe përdhunim—por kjo nuk e ka penguar të festojë në Festivalin e Filmit në Kanë dhe në garën e Formula 1 në Monako, duke u shfaqur nëpër festa luksoze përkrah miliarderëve e biznesmenëve të fuqishëm.
28-vjeçari u arrestua për herë të parë më 4 gusht 2024 pas një incidenti dhune në familje ndaj ish të dashurës së tij, Rebecca Helberg Arntsen, dhunë të cilën e pranoi publikisht. Që nga ajo kohë, ai është përballur me një sërë akuzash për sulme seksuale, të cilat i ka mohuar.
Në shkurt të këtij viti, një e pestë grua denoncoi se ishte përdhunuar nga Borg Høiby në një hotel në Oslo. Një javë më parë, policia norvegjeze gjeti video “shqetësuese dhe degraduese” në telefonin e tij që i përkisnin një gruaje të gjashtë, e cila më pas u thirr për dëshmi.

Megjithë akuzat, Borg Høiby u fotografua duke festuar në Kanë me biznesmenin norvegjez Per Morten Hansen dhe më pas në jahtin luksoz “Da Vinci” të miliarderit Vincent Tchenguiz. Ai u pa në klubin privat La Guérite dhe më vonë në Grand Prix të Monakos, përpara se të kthehej në heshtje në Norvegji.

Linni Meister, personazh i njohur i televizionit në Norvegji, është një nga gratë që kanë dalë hapur dhe ka akuzuar publikisht Høibyn për sulm seksual gjatë një “party në bodrumin e pallatit Skaugum”. Ajo shprehu zemërimin e saj në një podcast, duke thënë se “ai nuk ka asnjë respekt, as për veten, as për viktimat”. Sipas saj, festa kishte dalë jashtë kontrollit ndërsa princi i kurorës Haakon flinte në katin e sipërm.

Provat që policia zotëron përfshijnë video dhe foto nga laptopi i Høiby-t, ku pretendohet se tregohet momenti i sulmit ndaj Linni-t teksa ajo ishte pa ndjenja. Kjo ngjarje, sipas mediave norvegjeze, ndodhi në vitin 2018, kur ai ishte 21 vjeç.
Hetimet janë ende në zhvillim dhe nuk ka një afat për përfundimin e tyre. Avokatja e tij, Ellen Holager Andenæs, ka shmangur komentet publike, ndërsa ka shprehur shqetësimin për “presionin mediatik” në rritje.

Marius është djali i princeshës Mette-Marit nga një lidhje e mëparshme dhe njerku i tij është trashëgimtari i fronit norvegjez, Princi Haakon. Ai ka qenë i përfshirë më parë në ngjarje problematike dhe është raportuar se ka ndjekur trajtime rehabilitimi në Londër.
Ndërkohë që viktimat kërkojnë drejtësi, ai vijon jetën e tij mes udhëtimeve, festave luksoze dhe ndërrimeve të pamjes në publik—duke hedhur hije të errëta mbi reputacionin e familjes mbretërore norvegjeze.