E dinë edhe vetë që është ndeshje emocionale, por në fushë përballë Serbisë do të tregojnë profesionalizmin.
Kështu u përgjigj sulmuesi i kombëtares, Arbër Hoxha, i cili është mes lojtarëve të kombëtares që vijnë nga Kosova.
“Ne jemi profesionistë, do bëjmë tonën vetëm në fushë. Normal që është ndeshje emocionale, por jemi profesionistë dhe do bëjmë më të mirën në fushë”, u shpreh ai gjatë konferencës për shtyp që u zhvillua sot, më 4 Qershor.
Hoxha tha se ndeshja do të jetë e vështirë, por futbollistët e kombëtares besojnë se do ta fitojnë atë.
“Do jetë një ndeshje e vështirë, e dimë që kundërshtari ka cilësi, por do japim maksimumin. Po punojmë shumë mirë dhe shpresojmë dhe besojmë se do ta fitojmë ndeshjen”, tha ai.
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, Hoxha tha se do ta pranonte edhe një humbje përballë Letonisë, vetëm për të fituar përballë Serbisë.
Krah tij para mediave ishte edhe portieri Thomas Strakosha.
“Është ndeshja më e rëndësishme për të vijuar ëndrrën tonë që është botërori”, tha ai.
Shqipëria do të luajë përballë Serbisë në “Arenën Kombëtare” më 7 qershor.