FLASH :

Dhunoi të birin dhe fshehu arsenal në shtëpi, arrestohet 70-vjeçari në Divjakë

Një 70-vjeçar është arrestuar nga Policia e Divjakës, pasi dhunoi djalin e tij dhe u kap me një sasi të konsiderueshme municionesh të paligjshme në banesë. Në pranga ra Mursel Myftaraj, banues në fshatin Ferras, pas denoncimit të bërë nga i biri, 33 vjeç.

Gjatë kontrollit në banesë, policia sekuestroi një granatë, 138 fishekë, 119 kapsolla detonatore dhe 9 karikatorë, të gjitha të mbajtura pa leje. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Fierit për vijimin e hetimeve.

Njoftimi i policise:

Arrestohet 1 shtetas që mbante në banesë granatë, 119 kapsolla detonatore, 138 fishekë dhe 9 karikatorë.

Ky shtetas gjithashtu dhunoi për motive të dobëta, djalin e tij.

Menjëherë pas denoncimit të një 33-vjeçari, se ishte dhunuar në banesë në fshatin Ferras, nga babai i tij, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, me qëllim kapjen dhe nxjerrjen para përgjegjësisë penale, të autorit.

Si rezultat, u arrestua shtetasi M. M., 70 vjeç.

Në vijim të veprimeve policore, u krye kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku u gjetën granatë, 119 kapsolla detonatore, 138 fishekë dhe 9 karikatorë, të cilat ai i posedonte pa leje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.