FLASH :

Momenti kur 2 hajdutët nga Vlora kapen në Tiranë me kasafortën me 15 mijë euro të grabitur në shtëpinë e mjekut

Dy hajdutë që grabitën një kasafortë me 15 mijë euro brenda, nga një banesë në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, janë arrestuar nga policia.

Në pranga ranë Arbnor Xhimaj, 40 vjeç, dhe Lejdjan Gjoka, 38 vjeç, të dy banues në Vlorë dhe me precedentë të mëparshëm penalë për vjedhje. Nga verifikimet, rezulton se Xhimaj ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi” për një vjedhje të mëparshme.

Pamjet filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë i tregojnë teksa mbërrijnë me automjet në pallat. Ata hyjnë në apartament, fusin kasafortën në ashensor dhe e transportojnë në bagazhin e makinës.

Ngjarja ka ndodhur më 2 qershor dhe zbulimi i tyre u bë i mundur falë hetimeve të shpejta dhe analizës së kamerave të sigurisë. Autoritetet janë në vijim të hetimeve për të zbuluar nëse janë të përfshirë në raste të tjera të ngjashme grabitjeje.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Reagimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes.

Vodhën kasafortën me 15 000 euro, në një banesë, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.

Të 2 të arrestuarit, të dënuar më parë për vjedhje. Njëri prej tyre, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për këtë vepër penale.

Sekuestrohet automjeti i dyshuar i përdorur nga autorët, për të realizuar vjedhjen.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, pas kallëzimit nga një shtetas, se i kishin vjedhur kasafortën me një shumë parash, në banesë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Reagimi”, për zbardhjen e rastit.

Si rezultat i operacionit u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
A. Xh., 40 vjeç dhe L. Gj., 38 vjeç, të dy banues në Vlorë, të dënuar më parë për vjedhje.

Nga verifikimet rezultoi se shtetasi A. Xh. ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”.

Nga hetimet e kryera gjatë operacionit dyshohet se këta shtetas, më datë 02.06.2025, kanë vjedhur një kasafortë me 15 000 euro, në një banesë në rrugën “Muhamet Gjollesha”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.