FLASH :

Trump dyfishon tarifat për çelikun dhe aluminin: BE kërcënon me kundërmasa para korrikut

Nga e marta, hyn në fuqi vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të dyfishuar tarifat mbi importet e çelikut dhe aluminit, nga 25% në 50%. Sipas Shtëpisë së Bardhë, qëllimi është forcimi i industrisë amerikane, por ky hap shihet si përshkallëzim i rrezikshëm në konfliktin tregtar transatlantik.

Trump e shpalli dekretin vonë të martën, duke e quajtur “doganën” si një prej fjalëve më të rëndësishme në ekonominë moderne, gjatë një fjalimi në një fabrikë çeliku në Pensilvani.

Reagimet nuk kanë munguar. Shoqata Gjermane e Çelikut shprehu shqetësim për ndikimin e drejtpërdrejtë dhe indirekt që tarifat do të kenë mbi industrinë europiane, ndërsa BE-ja paralajmëroi se do të reagojë me kundërmasa, ndoshta para datës 14 korrik. Brukseli e cilëson vendimin si “një goditje për përpjekjet për zgjidhje përmes negociatave”, që krijon pasiguri për ekonominë globale dhe rrit kostot për konsumatorët.

Eksportet gjermane drejt SHBA-së pritet të preken veçanërisht rëndë, ndërkohë që vendet e tjera që “dëbohen” nga tregu amerikan mund të përmbytin tregun europian me çelik të lirë, duke e rënduar edhe më tej situatën për prodhuesit në BE.

Aktualisht, SHBA është importuesi i dytë më i madh i çelikut në botë, pas BE-së, ndërsa Gjermania mban vendin e parë në prodhimin europian të çelikut. Përveç kësaj mase, Trump ka kërcënuar dhe zbatuar edhe tarifa të tjera ndëshkuese ndaj një sërë shtetesh dhe produktesh.

Ndërkohë, në SHBA po shqyrtohet ligjshmëria e këtyre tarifave, për të parë nëse kompetencat për vendosjen e tyre i takojnë presidentit apo Kongresit. Tema e tarifave mbi çelikun pritet të jetë në qendër të takimit mes kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe presidentit Trump këtë të enjte në Uashington.