FLASH :

Kapet 18-vjeçari nga Lazarati me kallashnikov, eksploziv dhe kokainë – arrestohet në flagrancë

Një 18-vjeçar nga fshati famëkeq Lazarat ka rënë në prangat e policisë së Gjirokastrës pas një operacioni të koduar “Owner”, ku u kap me armë zjarri, eksploziv dhe drogë.

I riu me inicialet E. M., u arrestua në flagrancë pasi gjatë kontrollit fizik dhe atij në banesë, shërbimet e Policisë zbuluan një arsenal të vërtetë: një armë zjarri kallashnikov me krehër dhe municion luftarak, 14 kapsolla detonatore elektrike, një kallëp eksplozivi dhe një sasi lënde të dyshuar si kokainë.

Operacioni u finalizua nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Komisariatin e Policisë Gjirokastër, bazuar në informacione operative se i riu posedonte sende të kundërligjshme dhe lëndë narkotike.

Të gjitha materialet e sekuestruara u dorëzuan si prova materiale dhe çështja i është referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për hetime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Seksionin Operacional, të DVP Gjirokastër, dhe me Komisariatin e Policisë Gjirokastër, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, se një shtetas posedonte lëndë narkotike dhe sende të kundërligjshme, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Owner”. Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi E. M., 18 vjeç, banues në fshatin Lazarat.Gjatë kontrollit fizik ndaj 18-vjeçarit dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën: 1 armë zjarri kallashnikov dhe 1 krehër për të, një sasi municioni luftarak, 14 kapsolla detonatore elektrike, 1 kallëp eksplozivi dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.