Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin e fitnesit në Meksikë, pasi influencuesja dhe kampionia e bodybuilding-ut, Luz María Barrera Agatón, është gjetur e vdekur në fund të pishinës së një hoteli luksoz në qytetin Motul, në perëndim të Cancún.
36-vjeçarja kishte qenë duke qëndruar në Coco Resort & Villas me familjarë dhe miq, ndërsa trupi i saj u gjet në mëngjesin e së dielës, vetëm disa orë pasi të afërmit ishin larguar për të fjetur dhe e kishin lënë atë vetëm pranë pishinës në stil cenote.
Përpjekjet e ambulancës për ta rikthyer në jetë rezultuan të kota – Luz María ishte tashmë pa shenja jete. Autoritetet kanë nisur hetimet dhe nuk kanë përjashtuar mundësinë e një akti të qëllimshëm.
Ajo që e bën rastin edhe më të dyshimtë është fakti se vetëm dy javë më parë, jashtë palestrës së saj në Merida ishte varur një pankartë kërcënuese. Ajo e kishte hequr vetë pa njoftuar autoritetet, ndërsa më parë, në vitin 2017, kishte marrë kërcënime të ngjashme, kur ishte në një lidhje me një ish-prokuror shteti.
Në vitin 2023, një ngjarje fatale kishte ndodhur po në palestrën e saj, kur një i ri humbi jetën pasi mbi të ra një shtangë e rëndë – një incident që u raportua si pasojë e neglizhencës nga një trajner.
Agatón ishte një figurë shumë e njohur në qarqet e fitnesit në Meksikë. Ajo drejtonte palestrën e saj në Merida, ishte nënkryetare e Shoqatës Jukatekane të Bodybuilding dhe Fitnesit (YAFFEY), dhe kishte fituar disa çmime prestigjioze, përfshirë kurorën e Mbretëreshës së Karnavalit në Motul një vit më parë, si dhe çmimin Mr. Olympia Amateur në Spanjë.
Presidentja e YAFFEY, Evangelina Cimé Mézquita, reagoi e tronditur:
“Nuk e kupton gjithmonë pse ndodhin gjërat. Do të na mungosh, me gëzimin dhe thjeshtësinë tënde që shpërthenin gjithmonë.”
Autoritetet janë ende duke hetuar nëse kërcënimet dhe ngjarjet e së kaluarës kanë lidhje me vdekjen e saj misterioze.











