Një figurë e çuditshme dhe e mbuluar me lesh është kapur në video duke lëvizur përmes pyjeve të dendur të Colorados, duke rikthyer entuziazmin dhe debatet për ekzistencën e Bigfoot.
Ngjarja ndodhi më 24 maj, kur një grup me 12 persona nga ekipi Colorado River Expedition ndaloi për pushim buzë lumit gjatë një udhëtimi me rafting. Sipas udhëheqësit Logan Kirk, dikush bërtiti se kishte parë një ari, por pamja që pasoi ishte diçka krejt tjetër.
“Nuk ishte ari. Ishte diçka në këmbë, dykëmbëshe dhe tepër e pazakontë,” tha Kirk për DailyMail.com. Pamjet tregojnë një figurë të madhe, të mbuluar me lesh, që lëviz mes pishave, ndalon për një moment dhe duket se vështron nga kamera, përpara se të zhduket në pyll.
Videoja, e cila është shpërndarë miliona herë në Instagram, ka ndezur debatet: a është kjo prova që Bigfoot ekziston?
Komentues të shumtë besojnë se është thjesht një njeri me kostum, ose një ari që ecën në dy këmbë. Por të tjerë mendojnë se bëhet fjalë për legjendën e famshme që ka rrënjë në kulturat indigjene amerikane, ku përmendej “Sasquatch” – njeriu i egër.
Colorado është një nga shtetet me më shumë raportime të Bigfoot – mbi 100 raste vetëm që nga muaji mars.
Logan Kirk dhe ekipi i tij janë duke përgatitur një ekspeditë të dytë për të eksploruar zonën e videos. “Do përpiqemi të gjejmë gjurmë ose ndonjë provë tjetër. Shumë vështirë në terrenin shkëmbor, por do përpiqemi,” tha ai.
Ky rast i fundit vjen në vazhdën e legjendës që filloi në vitin 1958 me publikimin e parë të një letre në gazetën Humboldt Times, e cila fliste për gjurmë të mëdha në një vend prerjeje drurësh në Kaliforni.
Ndërkohë, videoja më e famshme për Bigfoot mbetet filmi i vitit 1967 nga Roger Patterson dhe Bob Gimlin, ku shihet një figurë e ngjashme që kalon nëpër pyll në Bluff Creek. Edhe sot ajo video mbetet e debatueshme – mes atyre që besojnë se ishte një njeri me kostum dhe atyre që mendojnë se ishte një krijesë e panjohur.
Përgjigja përfundimtare mungon ende, por ndërkohë, misteri i Bigfoot vazhdon të magjepsë dhe ndoshta… të shfaqet sërish.







