FLASH :

Video/Elvis Pupa shpërthen pas akuzave për kanabisin: “Jeta ime është personale, nuk ju kam borxh asgjë!”

Aktori i njohur i humorit, Elvis Pupa, ka reaguar sërish në rrjetet sociale, pas akuzave të rënda që rëndojnë mbi të dhe bashkëshorten e tij, Belina Pupa, për kultivimin e 43 bimëve kanabisi në një banesë në Ascot Park të Australisë.

Përmes një videoje të publikuar në Instagram, Pupa bën një monolog të gjatë për perfeksionizmin dhe paragjykimet shoqërore, duke theksuar se nuk i intereson aspak mendimi i të tjerëve për jetën e tij personale.

“Nuk e them këtë për miratim, as nuk më intereson mendimi juaj, sepse jeta ime personale është personale. Nuk më keni borxh asgjë e as unë ju. Aspak!”, deklaron ndër të tjera aktori.

Në video, ai rrëfen edhe rritjen në një shoqëri që sipas tij, e kishte të ndaluar gabimin, ndërsa përshkruan presionin që prindërit ushtronin ndaj fëmijëve për të qenë “perfektë” për sytë e të tjerëve. Sipas Pupës, perfeksionizmi nuk është virtyt, por një “helm emocional” që shndërron njerëzit në robotë me ankth.

Reagimi i tij vjen pas raportimeve nga mediat australiane, sipas të cilave Belina Pupa është arrestuar nga autoritetet në lidhje me rastin, ndërsa vetë Elvis Pupa është shpallur në kërkim, pasi thuhet se është larguar nga Australia.

Çifti jeton prej vitesh në Australi, ku aktori ka qenë aktiv në komunitetin shqiptar dhe në projekte artistike. Megjithatë, ky hetim për kultivim të lëndëve narkotike ka tronditur publikun dhe ka sjellë një valë reagimesh.

Në fund të videos, Pupa lë të kuptohet se nuk do të kërkojë as falje e as mirëkuptim, duke i bërë të qartë ndjekësve dhe opinionit publik se nuk ka ndërmend të shpjegojë më shumë për jetën e tij personale.