FLASH :

“E hodhën nën autobus”: Oficeri që u përjashtua pasi arrestoi adoleshentin me thikë, tregon makthin që po përjeton

Një oficer policie i vlerësuar me çmime, PC Lorne Castle, është përjashtuar nga forcat e rendit në Britani për “mungesë respekti” ndaj një adoleshenti 15-vjeçar të armatosur me thikë, një vendim që ka shkaktuar zemërim publik dhe reagime të forta ndaj autoriteteve.

Në pamjet e publikuara, Castle shihet duke përplasur të dyshuarin në mur, më pas në tokë, duke i vendosur dorën mbi fytyrë ndërsa e shoqëronte me sharje dhe kërcënime. Gjatë ndalimit, nga brezi i të miturit ra një thikë tip “Stanley”. Adoleshenti dyshohej për sulm ndaj dy personave, përfshirë një të moshuar.

Pavarësisht se nuk pati dëmtime dhe as ankesa nga i ndaluari, sjellja e Castle u raportua nga kolegët e tij, çka çoi në një hetim 16-mujor dhe përjashtimin e tij pa paralajmërim. Paneli disiplinor arriti në përfundimin se ai kishte vepruar me agresivitet të tepruar dhe kishte cenuar dinjitetin e adoleshentit.

Në një rrëfim për GB News, oficeri, i cili më parë kishte shpëtuar një grua nga mbytja dhe ishte shpallur “Polici i Lagjes i Vitit”, tha: “Jam i izoluar, nuk lejohem të kem kontakte ballë për ballë me njerëz. Nuk e di nëse do të mund të paguaj kredinë e shtëpisë. Kam kaluar 16 muaj që mund të më kishin shkatërruar”.

Castle pranoi se “e humbi kontrollin” gjatë arrestimit, por këmbënguli se synimi i tij ishte të parandalonte dëmtime për këdo dhe të largonte një armë nga rruga. Ai tha se sjellja e tij ishte ndikuar nga një incident i mëparshëm ku kishte rrezikuar jetën nga një bandë me thika. “Kur ai filloi të bërtiste dhe të rezistonte, u mbërtheva nga paniku,” tha ai duke shpërthyer në lot gjatë seancës dëgjimore.

Vendimi për shkarkimin e tij është cilësuar “i çmendur” nga ish-oficeri Norman Brennan, i cili akuzoi drejtuesit e lartë të Dorset Police për “t’i hedhur njerëzit e tyre nën autobus për të kënaqur opinionin publik”.

Sipas Brennan: “Çdo arrestim përfshin forcë. Në situata të tilla, policët shpesh përdorin gjuhë të ashpër. Ky vendim do të largojë njerëzit nga radhët e policisë.”

Ndërkohë, vetë Castle pret të shohë nëse do t’i lejohet një apel për vendimin që e la pa punë, pa të ardhura dhe me reputacion të njollosur.