FLASH :

Nga Londra te Dobrich: Çifti britanik që bleu “parajsën” me 54 mijë paund dhe nuk do të kthehet kurrë më

I zhgënjyer nga çmimet e larta, pasiguria dhe antisemitizmi në rritje në Londër, Stephen Yarrow dhe bashkëshortja e tij Barbara, të dy 67 vjeç, zgjodhën të braktisnin Britaninë përfundimisht dhe të ndërtonin një jetë të re në një fshat pranë qytetit Dobrich në verilindje të Bullgarisë.

Shtëpia e tyre e re? Një bungalow me tre dhoma gjumi, dy banjo, pishinë dhe ajër të kondicionuar – për vetëm 54 mijë paund. “Në Londër, vetëm një javë taksë bashkiake më kushtonte më shumë se gjithë viti këtu,” shprehet Stephen, i cili tani paguan vetëm 30 paund në vit për taksat lokale.

Jeta në Bullgari ka qenë një ndryshim i madh. Fillimisht e përjetuan si frikësuese: ndërprerje të energjisë, rrugë të dëmtuara dhe probleme me kanalizimet. Por qetësia, plazhet e Detit të Zi dhe çmimet e ulëta – ku një bukë kushton 40 peni dhe një shishe vodka 10 paund – i kanë bindur se bënë zgjedhjen e duhur.

Yarrow, një hebre që u rrit në Londrën e viteve ’60, thotë se nuk ndjehej më i sigurt atje. “Po shihja gjithnjë e më shumë sulme ndaj shkollave dhe sinagogave hebraike,” tregon ai. Në Bullgari, ndonëse rrallë shkon në sinagogë, jashtë saj ruajnë dy policë të armatosur.

Megjithëse nuk e flet mirë bullgarishten për shkak të një sëmundjeje gjenetike, Stephen thekson rëndësinë e integrimit: “Britët që dështojnë këtu janë ata që nuk ndërveprojnë me vendasit. Jetojnë në blloqe të tyre dhe izolohen.”

Siguria është një çështje serioze për ta. Përveç kamerave dhe grilave mbrojtëse, ata paguajnë edhe 30 paund në muaj për një shërbim sigurie të armatosur. Ai nuk ngurron të përmendë problemet me komunitetin rom, qentë endacakë dhe drejtuesit e rrezikshëm të makinave, por thekson se ndjehet më i sigurt se në Britani.

Pavarësisht rritjes së çmimeve dhe vështirësive që solli Brexit për emigrantët, çifti nuk planifikon të largohet. “Edhe po të fitoja 20 milionë paund në llotari, nuk do kthehesha kurrë në Britani,” thotë ai me bindje, ndërsa shijon gin-in në krah të pishinës në shtëpinë e tij të re buzë Detit të Zi.