FLASH :

Kur dhomat e provës kthehen në kurth: Gratë nën syrin e padukshëm të kamerave

Mohamed Al Fayed, ish-pronari i famshëm i Harrods, është akuzuar për spiunim dhe abuzim seksual sistematik ndaj stafit dhe klienteve të dyqanit gjatë dekadave të drejtimit të tij, sipas rrëfimeve tronditëse në librin e ri “The Monster of Harrods”.

Ish-truproja i tij, i njohur si “Biggie”, pohon se gjatë kohës që Al Fayed zotëronte Harrods-in, dhomat e provës dhe madje edhe tualetet e stafit femëror ishin të pajisura me kamera të fshehta. “Nëse je zhveshur ndonjëherë në një dhomë prove të Harrods gjatë sundimit të Al Fayed-it, kishte shumë gjasa që ai po të shihte,” thotë Biggie.

Kamerat dhe pajisjet përgjuese thuhet se ishin vendosur nga kreu i sigurisë së dyqanit, ish-detectivi John Macnamara, për t’i dhënë Al Fayed-it akses të plotë vizual dhe auditiv në çdo cep të godinës. Sipas librit, deri në 40 ekrane transmetonin 24/7 pamje nga dyqani, duke përfshirë edhe ambientet private të punonjësve.

Autorja Alison Kervin intervistoi mbi 60 dëshmitarë, përfshirë ish-punonjës, viktima dhe “inxhinierin” që përgjonte telefonat, i cili dëshmon: “Duhej të siguroheshim që çdo gjë po regjistrohej qartë. Al Fayed kërkonte rregullisht regjistrime të caktuara dhe asnjë nuk ishte jashtë radarit të tij.”

Harrods, i shitur në 2010 te Qatar Holdings, deklaroi se “nuk ekziston asnjë dëshmi në arkiva që tregon për kamera në zona me privatësi personale”, ndërsa vetë Al Fayed vdiq në vitin 2023 pa u përballur kurrë me drejtësinë.

Avokatja e të drejtave të njeriut, Emma Jones, e cila përfaqëson viktimat, kërkon hetim publik: “Nëse këto akuza janë të vërteta, bëhet fjalë për një shkelje të tmerrshme të privatësisë dhe një sistem abuzimi të mbështetur nga struktura të fuqishme.”

Më shumë se 500 viktima dhe dëshmitarë janë paraqitur që nga zbardhja e rasteve vitin e kaluar, ndërsa Policia Metropolitane ka konfirmuar se po heton së paku pesë bashkëpunëtorë të mundshëm që mund të kenë ndihmuar Al Fayed-in.