FLASH :

Trump e kthen ekonominë globale në krizë: Rritja më e dobët që nga Covid-i, paralajmëron OECD

Ekonomia globale po përballet me rritjen më të dobët që nga pandemia e Covid-19, ndërsa lufta tregtare e Donald Trump po godet rëndë zhvillimin ekonomik në nivel botëror – përfshirë vetë SHBA-në. Ky është paralajmërimi i fundit i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), që ka ulur pritshmëritë për rritjen në të gjitha ekonomitë e mëdha të G20-s.

Në raportin e saj të ri, OECD njofton se rritja globale do të jetë vetëm 2.9% në vitin 2025 dhe 2026, duke shënuar nivelin më të ulët që nga viti pandemik 2020. Në qendër të rënies është politika tarifore e Trump, e cila e ka çuar normën efektive të tarifave në SHBA nga 2.5% në mbi 15% – më e larta që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në veçanti, rritja ekonomike në SHBA pritet të bjerë ndjeshëm: nga 2.8% në 2024 në vetëm 1.6% në 2025 dhe 1.5% në 2026. Inflacioni i lartë do ta detyrojë Rezervën Federale të vonojë uljen e normave të interesit, duke frenuar më tej investimet.

OECD ka ulur gjithashtu parashikimet për Kinën, Francën, Indinë, Japoninë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Kina, për shembull, do të ngadalësohet nga 5% në 2024 në vetëm 4.3% në 2026. Edhe Eurozona nuk do t’i shpëtojë ngadalësimit: vetëm 1% rritje këtë vit.

Organizata paralajmëron se marrëveshjet tregtare janë urgjente për të frenuar përkeqësimin dhe shmangien e çmimeve më të larta. Në të kundërt, “ndikimi në rritje do të jetë i konsiderueshëm”, deklaroi kryeekonomisti Álvaro Pereira. Sipas tij, pasiguria në politikën tregtare dhe valët e tarifave nga SHBA po godasin direkt besimin e investitorëve.

Për më tepër, OECD paralajmëron edhe për rreziqe fiskale në rritje, të ndikuara nga kërkesat për më shumë shpenzime ushtarake dhe vlerësimet “historikisht të larta” të aksioneve, që rrisin rrezikun në tregjet financiare.

Në një klimë të tillë, mungesa e investimeve dhe paqartësia politike po errësojnë më tej horizontin ekonomik global.