FLASH :

Rënie e lindjeve në Kosovë? Vetëm 21 mijë foshnje të lindura brenda vendit gjatë vitit 2024

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat zyrtare për lindjet gjatë vitit 2024, ku janë regjistruar gjithsej 31 717 lindje, duke përfshirë si ato brenda ashtu edhe jashtë territorit të Kosovës.

Sipas raportit të ASK-së, vetëm 21 487 lindje kanë ndodhur brenda vendit. Prej tyre, 11 115 ishin meshkuj (51,7%), ndërsa 10 372 ishin femra (48,3%). Këto të dhëna ngrenë shqetësime për një rënie të mundshme të numrit të lindjeve në Kosovë, si dhe për ndikimin e migrimit në strukturën demografike të vendit.

“Burimi i të dhënave është Agjencia e Regjistrit Civil të Kosovës, gjegjësisht Zyrat e Gjendjeve Civile. Regjistrimi i lindjeve bëhet në mënyrë obligative në vendin ku ka ndodhur ngjarja, pa marrë parasysh vendbanimin e përhershëm të prindërve,” thekson ASK në njoftimin zyrtar.

Institucioni bën me dije se do të vazhdojë grumbullimin e të dhënave edhe përgjatë këtij viti përmes formularëve statistikore të tipit DEM-1. Këto të dhëna do të shërbejnë për ndërtimin e bazës së statistikave kombëtare të lindjeve dhe për krahasime të mëtejshme me të dhënat administrative.