Organizata “Qëndresa Qytetare” ka ngritur alarmin për ndërhyrjet që po kryhen në Burgun e Spaçit në Mirditë, një nga simbolet më të dhimbshme të represionit komunist në Shqipëri. Sipas saj, restaurimi po kryhet me manualin e Agroturizmit të AZHBR-së dhe po zhduk gjurmët historike të vendit ku u torturuan dhe u vranë qindra qytetarë gjatë diktaturës.
Në reagimin e publikuar nga “Qëndresa Qytetare”, thuhet se burgu nuk mund të trajtohet si një strukturë turistike, pasi ai përfaqëson një faqe tragjike të historisë shqiptare. Revolta e Spaçit, më 21–23 maj 1973, ku për herë të parë u ngrit flamuri kombëtar pa yllin komunist, u pasua nga ridënimi i 80 të burgosurve dhe ekzekutimi i katër prej tyre: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Peka dhe Hajro Pashai.
“Fotot tregojnë se ndërhyrjet janë të pakontrolluara dhe po dëmtojnë rëndë paraqitjen autentike të objektit, duke fshirë gjurmët e së shkuarës dhe duke zhdukur memorien historike,” thuhet në deklaratë.
“Qëndresa Qytetare” kërkon që çdo ndërhyrje të ndalet menjëherë, veçanërisht ato që kryhen për xhirimin e një filmi, dhe apelon që rikonstruksioni i këtij objekti të bëhet mbi bazën e një studimi serioz me pjesëmarrjen e historianëve, ish-të burgosurve politikë dhe familjarëve të të përndjekurve.
“Burgu i Spaçit nuk është skenë filmi apo resort – është dëshmi e krimeve të një regjimi,” përfundon thirrja e “Qëndresës Qytetare”.









