Dy fabrika ku stampoheshin veshje të kontrabanduara me logo false të markave të njohura ndërkombëtare janë zbuluar nga Policia e Shtetit gjatë një operacioni në rrugën e Arbrit. Operacioni çoi në pranga katër persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Në pranga kanë rënë administratorët e fabrikave: Luan Haka, Ali Bushati dhe Xhuljo Lecaj, si dhe qiradhënësi i ambienteve, Arjan Hida. Në kërkim janë djali i njërit prej të arrestuarve, Lindion Haka, si dhe shtetasi turk Ozkan Sulun, i identifikuar si organizator dhe koordinator i veprimtarisë kriminale. Katër punonjës të tjerë të fabrikave do të hetohen në gjendje të lirë.
Sipas njoftimit zyrtar, fabrikat ishin të pajisura me linja të plota makinerish për qepje, printim dhe stampim të logos së markave të famshme botërore, që dyshohet se përdorej për prodhimin e mallrave të kontrabanduara. Gjatë kontrollit u sekuestruan sasi të mëdha veshjesh, dhjetëra makineri, logo të falsifikuara, dokumente të shtetasit turk, një shumë parash, njësi kompjuterike, një celular dhe materiale të tjera që lidhen me aktivitetin e paligjshëm.
Policia thotë se hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë rrjetin dhe mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë në këtë aktivitet fitimprurës, që dëmton tregun dhe konsumatorin.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i administrimit të inteligjencës policore, të siguruar në vijim të punës kundër kontrabandës dhe krimeve të tjera ekonomiko-financiare, se në Rrugën e Arbërit, në fshatin Brrar, magazinoheshin veshje të kontrabanduara, të cilave iu viheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar finalizoi operacionin “Fake Star 5”.
Gjatë operacionit:
-u arrestua shtetasi L. H. dhe u shpall në kërkim djali i tij, shtetasi L. H., bashkadministratorë të njërës prej magazinave;
-u arrestuan shtetasit A. B. dhe Xh. L., bashkadministratorë të magazinës tjetër;
-u arrestua shtetasi A. H., qiradhënës i pronave;
-u shpall në kërkim shtetasi turk O. S., i cili koordinonte realizimin e këtyre veprimtarive kriminale;
-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasit R. Gj., Z. H., Sh. M. dhe A. H., punonjës në këto magazina.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, u konstatua se 2 magazinat ishin të pajisura me linja makinerish për qepje, printim dhe stampim me logo false, të markave të njohura ndërkombëtare, të veshjeve dhe aksesorëve të dyshuar të kontrabanduar.
Punohet për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Moskallëzimi i krimit”.







