FLASH :

“Tragjedi mbi tragjedi”: Aktivisti i eutanazisë që u akuzua për vrasje, vetëvritet pas lirimit nga burgu

Një prej mbrojtësve më të zëshëm të të drejtës për vetëvrasje të asistuar, Dr. Florian Willet, ka ndërruar jetë përmes eutanazisë më 5 maj, vetëm pak muaj pasi ishte liruar nga paraburgimi pas një akuze tronditëse për vrasje.

47-vjeçari u arrestua në shtator 2024 nga autoritetet zvicerane, pasi një grua 64-vjeçare humbi jetën brenda kapsulës kontroverse të vetëvrasjes, të njohur si “Sarco”, në një pyll pranë Merishausen. Dr. Willet ishte i vetmi person i pranishëm gjatë aktit, dhe hetuesit raportuan shenja të mundshme mbytjeje në qafën e viktimës.

Ai qëndroi 70 ditë në paraburgim, ndërsa Prokuroria e kantonit Schaffhausen deklaroi se kishte “dyshime të forta për vrasje me dashje”. Megjithatë, pas lirimit të papritur në dhjetor 2024, miqtë e tij thonë se Dr. Willet ishte një njeri tjetër – emocionalisht i thyer dhe i traumatizuar rëndë.

Krijuesi i kapsulës Sarco dhe drejtori i Exit International, Dr. Philip Nitschke, shkroi: “U largua njeriu me buzëqeshjen e ngrohtë dhe vetëbesimin. Ai që doli nga burgu ishte një shpirt i thyer.”

Më herët gjatë vitit 2025, Dr. Willet ra nga kati i tretë i apartamentit të tij në Cyrih dhe pësoi dëmtime të rënda. Mjekët e diagnostikuan me një çrregullim psikotik akut të shkaktuar nga stresi i paraburgimit. Pavarësisht rikuperimit fizik, dëmtimi psikik ishte i parikuperueshëm.

Më në fund, ai zgjodhi të mbyllte jetën përmes ndihmës së një organizate të specializuar në Köln, Gjermani.

Gruaja që përdori për herë të parë kapsulën Sarco, thuhet se kishte vuajtur nga një sëmundje e rrallë që mund të shpjegonte shenjat e çuditshme në trupin e saj, për të cilat fillimisht u ngritën dyshime për dhunë.

Autoritetet zvicerane kishin paralajmëruar më herët që pajisja Sarco të mos përdorej në atë zonë, duke bërë që çështja të shkaktonte një stuhi ligjore, etike dhe emocionale.

“Shpirti i Florianit ishte thyer. Ai e dinte që nuk kishte bërë asgjë të paligjshme, por besimi i tij në drejtësinë zvicerane ishte i shkatërruar”, përfundon deklarata prekëse e Dr. Nitschke.