Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.8 ballë të shkallës Rihter tronditi zonën detare midis ishullit Rodos dhe brigjeve të Turqisë në orët e para të mëngjesit të sotëm. Lëkundjet e forta u ndjenë në shumë qytete greke dhe turke, duke shkaktuar panik në mesin e banorëve dhe turistëve që dolën me shpejtësi nga hotelet dhe banesat.
Ngjarja është regjistruar në orën 02:17 me orën lokale, ndërsa epiqendra u lokalizua në detin Egje. Në Greqi nuk raportohet për të lënduar, por në Turqi tragjedia mori jetë njerëzish.
Një vajzë 14-vjeçare, Afranur Günlü, humbi jetën si pasojë e një ataku paniku në qytetin Fethiye. Ajo u transportua në spital, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi të shpëtonte.
Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, konfirmoi gjithashtu se 69 persona mbetën të plagosur pasi u hodhën nga ballkonet ose dritaret e shtëpive nga frika e tërmetit. 14 prej tyre po trajtohen në spital në zonën e Muğlas dhe rretheve përreth.
Lëkundjet sizmike janë ndjerë gjerësisht edhe në qytetet Izmir, Antalia, Aydın, Denizli dhe Manisa.
“Uroj shërim të shpejtë për të gjithë qytetarët tanë të lënduar nga tërmeti. Zoti e ruajt vendin dhe kombin tonë nga fatkeqësitë”, deklaroi ministri Yerlikaya.
Autoritetet greke dhe turke vazhdojnë të monitorojnë situatën, ndërkohë që ekspertët kanë paralajmëruar për mundësi të pasgoditjeve.








