Pamje tronditëse të transmetuara këtë të hënë në televizionin spanjoll tregojnë momentin kur gangsteri skocez Ross Monaghan, 43 vjeç, u ndoq nëpër lokalin e tij dhe u qëllua për vdekje nga një atentator i maskuar, në një episod që shënon përshkallëzimin e luftës mes bandave britanike në Costa del Sol.
Në videon e publikuar nga “El Programa de Ana Rosa” në Telecinco, vrasësi – i veshur i gjithi me të zeza dhe me fytyrën e mbuluar – hyn me armë në dorë në lokalin “Monaghans” dhe ndjek viktimën deri në fund të lokalit. Monaghan shihet duke u përpjekur të arratiset, përpara se të rrëzohet në gjunjë dhe të qëllohet me të paktën katër plumba në distancë të afërt.
Pak çaste më parë, po i njëjti atentator kishte qëlluar dhe vrarë jashtë lokalit edhe bashkëpunëtorin e tij të afërt, Eddie Lyons Jr. Të dy burrat humbën jetën në vendngjarje, pavarësisht përpjekjeve për t’i shpëtuar.
Ngjarja ndodhi vonë të shtunën mbrëma, menjëherë pas finales së Ligës së Kampionëve mes PSG dhe Interit. Lokali ndodhet në zonën turistike të Torreblanca, përballë një prej plazheve më të frekuentuara të Fuengirolës, dhe është i njohur për turistët britanikë e irlandezë.
Policia spanjolle konfirmoi vdekjen e dy burrave, por nuk dha emra zyrtarë. Deri tani nuk është bërë asnjë arrestim, ndërsa mediat vendase raportojnë se atentatori është larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes dhe më pas është bashkuar me një bashkëpunëtor që e priste me makinë. Një urdhër hetimor sekret (“secreto de sumario”) është vendosur mbi çështjen, duke ndaluar autoritetet të publikojnë detaje të mëtejshme.
Ross Monaghan ishte një emër i njohur në botën e krimit në Skoci. Ai kishte shpëtuar një atentati në Glasgow në vitin 2017 dhe më pas ishte vendosur në Spanjë. Në të kaluarën ishte gjykuar, por i shpallur i pafajshëm, për vrasjen e mafiozit Kevin “Gerbil” Carroll në një parking të Asda në vitin 2010. Ai dhe Lyons ishin pjesë e klanit famëkeq “Lyons” nga Glasgow dhe kishin një histori përplasjesh të përgjakshme me klane rivale, të cilat mendohet se janë përhapur edhe në tokën spanjolle.
Policia është duke hetuar në pistën e hakmarrjes mes grupeve kriminale britanike të lidhura me trafikun e drogës. Vrasja në Fuengirola vjen vetëm gjashtë javë pas një tjetër ekzekutimi në Calahonda, ku një britanik 32-vjeçar nga Liverpool u qëllua për vdekje pas një ndeshje futbolli. Atentati i fundit është i pesti që ndodh në muajt e fundit në Costa del Sol, duke konfirmuar se ky rajon ka shndërruar tashmë në një front të hapur të krimit të organizuar ndërkombëtar.
Ngjarja ka tronditur komunitetin e turistëve dhe emigrantëve britanikë në rajon, ndërsa autoritetet lokale janë vënë nën presion për të përforcuar masat e sigurisë dhe për të çmontuar rrjetet mafioze që po përdorin Spanjën si terren të lirë për larje hesapesh.







