Dy fëmijë palestinezë janë vrarë në Gaza pasi u shënjestruan nga një sulm me dron izraelit ndërsa po transportonin ujë për në tendën e familjes së tyre.
Fëmijët, të cilët po mbanin një fuçi plastike me ujë dhe disa tuba, u bombarduan në mes të ditës.
Videoja e ngjarjes u shpërnda në internet nga burime izraelite, të cilat në mënyrë të rreme justifikuan vrasjen e fëmijëve duke pretenduar se po transportonin eksplozivë.
Kritikët e kanë dënuar videon, duke e quajtur një përpjekje të qëllimshme për të justifikuar vrasjen e fëmijëve palestinezë.
Ndërkohë, kujtojmë se së fundmi raportohen të paktën 51 palestinezë të vrarë dhe 503 të tjerë të plagosur gjatë 24 orëve të fundit nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e rrethuar.
Organizata të Kombeve të Bashkuara dhe grupe humanitare kanë dënuar vrasjen e dhjetëra palestinezëve të uritur, që ishin mbledhur pranë pikave të shpërndarjes së ndihmave të ngritura nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), me mbështetje amerikane.
Ndërkohë, Egjipti dhe Katari kanë shpallur përpjekje të reja për të arritur një marrëveshje armëpushimi, bazuar në një propozim të mbështetur nga SHBA, që parashikon një ndalim të luftimeve për 60 ditë dhe lehtësim të hyrjes së ndihmave humanitare.
Që prej nisjes së luftës së Izraelit ndaj Gazës, janë vrarë të paktën 54,470 palestinezë dhe janë plagosur 124,693 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. Zyra e Medias e Qeverisë në Gaza ka përditësuar numrin total të viktimave në mbi 61,700, duke theksuar se mijëra persona që janë ende nën rrënoja konsiderohen të vdekur.
Nga ana tjetër, sipas të dhënave izraelite, rreth 1,139 persona u vranë gjatë sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023, ndërsa mbi 200 të tjerë u morën peng.







