FLASH :

Maqedonia e Veriut drejt zhdukjes demografike? Alarm nga statistikat e reja

Maqedonia e Veriut po përballet me një krizë të thellë demografike, e cila po thellohet me ritme shqetësuese. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë se vetëm në tremujorin e parë të vitit 2025 kanë lindur vetëm 3.526 foshnje, ndërkohë që kanë vdekur 5.398 persona. Kjo përkthehet në një tkurrje natyrore të popullsisë me 1.872 banorë në vetëm tre muaj.

Situata bëhet edhe më alarmante kur analizohen të dhënat për martesat. Sipas statistikave zyrtare, numri i martesave ka rënë me 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, duke reflektuar jo vetëm një rënie të fertilitetit, por edhe një krizë më të gjerë shoqërore.

Ekspertët paralajmërojnë se nëse ky trend vijon, deri në vitin 2070 popullsia e Maqedonisë së Veriut mund të bjerë në vetëm 500 mijë banorë. Një skenar i tillë, sipas tyre, kërcënon seriozisht të ardhmen e vendit, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë social.

Në analizë përmendet edhe roli i inercisë demografike, që ndikohet nga struktura e moshës aktuale dhe e trashëguar. Sipas projeksioneve, realizimi i skenarëve të ndryshëm mbi lindshmërinë, vdekshmërinë dhe migrimin do të përcaktojë dinamikën e ardhshme të popullsisë dhe bilancin e migracionit në dekadat që vijnë.

Në mungesë të politikave urgjente për mbështetjen e familjeve, ndaljen e largimit të të rinjve dhe nxitjen e kthimit të diasporës, Maqedonia e Veriut rrezikon të shkojë drejt boshatisjes.