FLASH :

“Jo unë, ishte ChatGPT!” – Profesori italian kërkon falje Melonit pas komenteve për vajzën: “Nuk dal dot më nga shtëpia”

Një mësues italian ka shkaktuar stuhi në rrjetet sociale pasi publikoi një koment të rëndë kundër vajzës së kryeministres Giorgia Meloni, duke i uruar asaj vdekjen. Stefano Addeo, në një intervistë për La Repubblica, ka kërkuar publikisht falje dhe e ka cilësuar postimin si “një gabim i sugjeruar nga ChatGPT”.

“Jo unë, ishte inteligjenca artificiale”, është shprehur ai. “I kërkova ChatGPT të më shkruante një mesazh kundër Melonit dhe doli ajo gjë e tmerrshme. E postova pa menduar, e fshiva të nesërmen.”

Pas shpërthimit të reagimeve, Addeo thotë se nuk del dot nga shtëpia, është ndjekur nga makina dhe i kanë hedhur domate në derë. “Kam frikë për jetën time,” tha ai, ndërsa tregon se ministria e Arsimit ka nisur një hetim për këtë ngjarje.

Edhe pse thotë se është katolik, vegjetarian dhe aktivist për të drejtat e fëmijëve dhe kafshëve, Addeo pohon se rrjetet sociale “i dolën jashtë kontrollit”. Ai pretendon se nxënësit e kanë mbështetur, por drejtoria e shkollës jo.

Në fund, profesori tha se nëse do të kishte përballë kryeministren Meloni, “do ta përqafoja, do t’i kërkoja falje dhe do qaja me të. Vajzës së saj i uroj gjithë të mirat.”