FLASH :

Turizmi në rritje/ Italianët “të fiksuar” pas Shqipërisë, kosovarët në rënie – 2.4 milionë turistë në 4 muaj

Shqipëria vijon të tërheqë gjithnjë e më shumë turistë nga Italia, me një rritje prej 7.1% gjatë muajve janar-prill 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga INSTAT, mbi 281 mijë italianë kanë hyrë në vend gjatë kësaj periudhe, duke e bërë Italinë vendin e dytë për nga pesha turistike, pas Kosovës.

Rritja lidhet me afërsinë gjeografike, ofertat e leverdishme për fundjavë, aksesin e lehtë përmes trageteve e fluturimeve, si dhe interesin në rritje për turizmin shëndetësor e biznesor. Aktualisht, italianët përbëjnë 12.3% të totalit të vizitorëve të huaj.

Ndryshe paraqitet situata me Kosovën, që pavarësisht se ruan vendin e parë me 34% të hyrjeve, ka shënuar një rënie me 6.7% krahasuar me një vit më parë. Rënia lidhet me efektin e liberalizimit të vizave, që po u jep qytetarëve të Kosovës më shumë mundësi për të eksploruar destinacione të BE-së, si Greqia apo Kroacia.

Të dhënat tregojnë një bum të përgjithshëm të turizmit në vend: në katër muajt e parë të vitit 2025 kanë hyrë gjithsej 2.44 milionë të huaj, një rritje me 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Tregjet që kanë shënuar rritje të fortë janë:

  • Gjermania +41.2%
  • Franca +39.9%
  • Austria +48%
  • Zvicra +20%
  • Kina dhe India gjithashtu në rritje, por me shifra ende modeste.

Turoperatorët shprehen optimistë, duke parashikuar një rritje të përgjithshme mes 10-15% për vitin 2025, falë kërkesës në rritje nga tregje të reja, promovimit në mediat ndërkombëtare dhe kontratave me garanci për sezonin.

Në fokus mbeten turistët nga Europa Qendrore dhe Lindore si polakët, çekët, hungarezët dhe sllovakët, ndërsa italianët dhe europianët perëndimorë po dominojnë udhëtimet individuale.