FLASH :

Sulm me zjarr në Colorado: Protestuesit pro-Izrael sulmohen nga një “i huaj i paligjshëm”

Një akt tronditës dhune ka ndodhur në Colorado të dielën, kur Mohamed Sabry Soliman, 45 vjeç, i identifikuar si emigrant i paligjshëm nga Egjipti, sulmoi me një lloj flamethrower protestuesit që po mbanin një marshim paqësor pro-Izraelit në Boulder. Ngjarja ndodhi në zemër të qytetit, në Pearl Street Mall, gjatë një aktiviteti për lirimin e pengjeve izraelite që ndodhen ende në duart e Hamasit.

Soliman, sipas autoriteteve, hodhi koktej molotovi në drejtim të turmës, duke plagosur tetë persona të moshës nga 52 deri në 88 vjeç. Disa prej tyre pësuan djegie të rënda, njëra nga viktimat u përfshi plotësisht nga flakët, ndërsa tjerët panë rrobat e tyre duke marrë zjarr. Pamje tronditëse treguan trupa të shtrirë pranë flamujve të Izraelit dhe dëshmitarë që u derdhnin ujë për t’i shpëtuar nga djegiet.

Sulmuesi, i zhveshur në pjesën e sipërme të trupit dhe i pajisur me shishe të mbushura me benzinë, bërtiste slogane si “End Zionists” dhe “Free Palestine”, duke i quajtur viktimat terroristë. Ai u arrestua pa rezistencë dhe aktualisht ndodhet në spital me lëndime të lehta. Autoritetet federale dhe lokale e konsiderojnë sulmin si një akt terrorizmi dhe krim urrejtjeje.

FBI dhe prokuroria e shtetit kanë konfirmuar se Soliman kishte hyrë legalisht në SHBA me vizë më 2022, por kishte qëndruar pas skadimit të saj, duke përfituar më pas edhe një leje pune deri në 2025. Ky fakt ka ndezur polemika për politikat e emigracionit të administratës Biden.

Zyrtarë të lartë si FBI Director Kash Patel dhe zëvendës drejtori Dan Bongino e quajtën ngjarjen një “sulm terrorist të synuar ndaj hebrenjve”, ndërsa guvernatori Jared Polis e cilësoi aktin si të papranueshëm dhe të nxitur nga urrejtja.

Ngjarja ndodhi në ditën e parë të festës hebraike Shavuot dhe pason një klimë të shtuar të dhunës antisemitike në SHBA, vetëm një javë pas vrasjes së dy shtetasve izraelitë në Uashington D.C., gjithashtu në një sulm me motiv “Free Palestine”.

Organizatat hebraike si Simon Wiesenthal Center e konsideruan sulmin si pasojë direkte e fushatave të demonizimit të Izraelit dhe zionizmit në mediat sociale dhe kampuse universitare, duke paralajmëruar për një valë të rrezikshme të urrejtjes së re antisemitike në Amerikë.