FLASH :

“Gomonet pushtojnë Kanalin”: Britania përballet me valën më të madhe të emigrantëve për 2025

Mbretëria e Bashkuar është përballur të shtunën me fluksin më të madh ditor të emigrantëve të paligjshëm për vitin 2025, pasi më shumë se 1,000 persona kaluan Kanalin e La Manshit me gomone, duke thyer çdo rekord të mëparshëm.

Sipas mediave britanike, rreth 18 mjete të vogla lundruese u nisën nga brigjet veriore të Francës drejt Anglisë, ndërsa forcat franceze u mjaftuan me vëzhgimin nga larg. Mes emigrantëve ndodheshin burra, gra dhe fëmijë që kërkonin azil në Britani, në një udhëtim të rrezikshëm dhe të mbushur me pasiguri.

Ky fluks kaloi rekordin e mëparshëm ditor për këtë vit – 825 persona – që ishte shënuar vetëm pak javë më parë. Ngjarja ka ngjallur reagime të ashpra politike në Londër.

Sekretari i Brendshëm në hije, Chris Philp, e cilësoi të shtunën si “një ditë turpi” për qeverinë laburiste dhe kritikoi Kryeministrin Keir Starmer për “humbjen e kontrollit mbi kufijtë”.

“Forcat Kufitare janë në pikën e thyerjes, gomone që përmbytin Kanalin, anije peshkimi që ndihmojnë në shpëtim. Ky është një shtet që po shkon drejt kaosit në det,” – deklaroi Philp.

Ai shtoi se shërbimet e shpëtimit janë tejmbushur, duke përfshirë 11 mjete detare dhe dy avionë që u aktivizuan për të ndihmuar emigrantët.

Me këtë valë të fundit, numri total i kalimeve të suksesshme në Kanal për vitin 2025 ka arritur në 14,600 persona – një rritje me 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe niveli më i lartë në pesë muajt e parë të vitit që prej fillimit të kësaj dukurie në vitin 2018.