Në një kodrinë të gjelbër në Costa Adeje, vetëm pak metra larg hoteleve luksoze dhe rreth 10 kilometra nga resorti turistik i Los Cristianos, ndodhet një realitet që sfidon çdo imazh që zakonisht lidhet me parajsën e pushimeve në Tenerife: një “qytet-barakë” i përbërë nga dhjetëra europianë të pastrehë, mes tyre edhe britanikë si Sharon, 63 vjeç.
Prej dy vitesh, Sharon jeton në këtë komunitet alternativ pas një sërë fatkeqësish – që nga pandemia, humbja e punës, rritja e çmimeve të qirasë për shkak të Airbnb-ve (që kanë kaluar mbi 20 mijë në ishull), e deri te mashtrimi nga një agjent i banesave. Ajo punon me kohë të pjesshme në një kompani ekskursionesh dhe jeton në një shtëpi të ndërtuar me mbetje druri e metali nga një fqinj. Brenda saj, ka një sobë portative, dy divane, tavolinë, madje edhe një kopësht me domate, mango dhe aloe vera.
Por jeta në këtë kamp është në rrezik nga një projekt gjigant ndërtimi: resorti pesë-yje “Cuna del Alma”, i financuar nga investitorë belgë, që parashikon ndërtimin e qindra vilave luksoze mbi një prej zonave të fundit natyrore të paprekura në ishull. Protestat janë shtuar, dhe tensionet kanë kaluar në dhunë – katër eskavatorë u dogjën në shkurt, ndërsa zhvilluesit përballen me hetime nga Komisioni Europian për shkelje të mundshme mjedisore dhe arkeologjike.
Ndërsa qeveria e sheh projektin si mundësi për punësim dhe rritje ekonomike, aktivistët e quajnë simbol të një modeli të shfrenuar turizmi që po shkatërron natyrën dhe po i nxjerr vendasit jashtë tregut të banesave. Sharon dhe banorët e tjerë të kampit – nga Britania, Rusia, Gjermania, Italia e deri te Polonia – thonë se nuk janë zgjedhur të jetojnë kështu, por janë shtyrë nga kriza ekonomike dhe padrejtësitë e sistemit.
“Është një vend i bukur dhe jetojmë të rregullt. Nuk është ndonjë ‘shpellë’, siç thonë ca,” thotë Sharon, e cila gjithashtu prodhon çajra dhe kremra natyralë. “Por është e frikshme të mendosh se mund të humbim edhe këtë vend të fundit.”
Ndërkohë, ndërtimi i resortit vazhdon me ritme të larta, pavarësisht protestave dhe gjobave të vendosura më herët nga autoritetet. Në një ishull ku tensioni mes banorëve të përjashtuar dhe zhvilluesve të pasur po rritet, kjo “barakë në parajsë” është kthyer në simbol të rezistencës ndaj një modeli ekonomik që nuk ka më vend për njerëzit e zakonshëm.














