Një alarm për bombë ka shkaktuar panik pasditen e sotme në qendër të Tiranës, ku është raportuar një mjet shpërthyes i dyshuar në parkimin e hotelit luksoz “Plaza”.
Sipas informacioneve paraprake, një telefonatë anonime është bërë fillimisht në recepsionin e hotelit, duke paralajmëruar për praninë e një bombe në parkim. Personeli ka njoftuar menjëherë policinë, e cila më pas ka marrë një tjetër njoftim edhe në sallën operative.
Forcat xheniere dhe njësitë speciale të policisë janë nisur me urgjencë drejt vendngjarjes. Zona përreth është rrethuar dhe ka nisur evakuimi i pjesshëm i ambienteve, përfshirë godinën e hotelit dhe hapësirat pranë tij.
“Janë evakuuar të gjithë personat që ndodheshin brenda për arsye sigurie. Deri tani nuk kemi konstatuar asgjë të dyshimtë, por po kryejmë kontrolle më të imtësishme,” thanë burime nga Policia e Tiranës.
Dyshohet se bëhet fjalë për një alarm të rremë, për shkak se telefonata ka qenë anonime dhe deri më tani nuk janë gjetur gjurmë të ndonjë mjeti shpërthyes. Hetimet vijojnë për të zbuluar origjinën e telefonatës dhe për të garantuar sigurinë në zonë.







