Nga Maksi Çami
Ilir Meta, një nga figurat më të njohura të tranzicionit post-komunist në Shqipëri, duket se ka arritur fundin e karrierës së tij politike pas zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit 2025. Rezultatet e këtyre zgjedhjeve shënuan dështimin e Partisë së Lirisë (PL) për të siguruar përfaqësim real në Kuvend, duke mos arritur pragun dhe duke marrë vetëm disa mandate falë “listave të sigurta” të PD si aleat. Kjo humbje e fundit, e kombinuar me rënien graduale të ndikimit politik të Metës vitet e fundit, ka shuar përfundimisht kapitalin e tij politik.
Dikur aktor kyç politik, Meta ndryshoi aleanca shpesh për të qëndruar në pushtet. Ilir Meta nisi karrierën politike si reformator brenda Partisë Socialiste në vitet ’90, duke arritur deri në postin e Kryeministrit në moshë të re. Pas përplasjeve me Fatos Nanon, ai u shkëput dhe themeloi Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI) në vitin 2004 LSI-ja shpejt u kthye në një “parti e artë” në politikën shqiptare, duke luajtur rolin e kingmaker-it mes dy kampeve kryesore. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, Meta befasoi skenën politike duke braktisur kampin e majtë për t’u bashkuar në koalicion qeverisës me Sali Berishën dhe PD-në. Me vetëm rreth 5% të votave kombëtare (rreth 4 mandate) LSI arriti të hyjë në qeveri si partner i vogël, duke kontrolluar disa ministri kyç si Ekonomia, MPJ dhe Shëndetësia.
Kjo lëvizje pragmatiste i siguroi Metës pushtet dhe ndikim disproporcional krahasuar me peshën elektorale. Mirëpo, pikërisht në këtë periudhë filluan edhe çarjet e para në imazhin e tij publik: skandali i videos famëkeqe Meta–Prifti në 2010 ekspozoi Meta duke diskutuar rreth ryshfeteve dhe tronditi opinionin publik. Pasoja kulmoi me protestat e 21 janarit 2011, ku humbën jetën katër qytetarë, një njollë e rëndë kjo në bilancin moral të Metës dhe qeverisë së atëhershme.
Kulmi i ndikimit të Metës erdhi pas zgjedhjeve të vitit 2013, kur ai ndryshoi sërish krah, kësaj radhe duke lidhur aleancë parazgjedhore me Edi Ramën dhe PS-në. Kjo “marrëveshje e madhe” solli fitoren e koalicionit të majtë dhe Meta siguroi një rol dominues në qeverisje, madje duke u bërë Kryetar i Kuvendit. Vlen të theksohet se LSI kontrollonte atë periudhë afërsisht 40% të pushtetit ekzekutiv falë pazareve politike, një tregues ky i aftësisë së Metës për të maksimizuar përfitimet nga aleancat. Ndonëse ai mbajti poste të larta (Kryetar Kuvendi 2013–2017, President i Republikës 2017–2022), baza e tij elektorale filloi të gërryhet. Kulmi i “madhështisë” së LSI-së me 19 mandate parlamentare në 2017 (rreth 225 mijë vota, ose 14.3%) u pasua nga një rënie dramatike në 2021. Nën drejtimin e Monika Kryemadhit (bashkëshortes së Metës) gjatë kohës që Meta ishte president, LSI mori vetëm 4 mandate në zgjedhjet e 25 prillit 2021, me ~110 mijë vota (6.8%). Partia praktikisht u zhduk nga harta elektorale në 9 qarqe të vendit.
Kjo tregoi se një pjesë e madhe e elektoratit të LSI-së ishte joshur jo nga ndonjë ideal a besnikëri ndaj Metës, por nga interesat klienteliste dhe makineria elektorale kur LSI ishte në pushtet. Pasi kjo makineri humbi fuqinë, votuesit u shpërndanë drejt partive të mëdha ose nuk votuan fare. Zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit 2025 shënuan goditjen finale. Ilir Meta, tashmë në krye të të rithemeluarës “Partia e Lirisë”, dështoi të sigurojë një mandat deputeti në Tiranë, megjithëse kandidoi në listë të hapur. Partia e Lirisë vetë nuk arriti pragun elektoral dhe nuk do të përfaqësohet fare me grup të vetin parlamentar. Të vetmet 4 mandate të fituara erdhën falë marrëveshjes parazgjedhore me PD-në që i futi kandidatët e PL-së në listat e PD-së në pozicione të sigurta.
Mirëpo, edhe këto mandate janë të pamerituara elektoralisht me rreth 26-27 mijë vota gjithsej në rang kombëtar, Partia e Lirisë kontribuoi shumë pak në koalicionin opozitar, duke justifikuar realisht vetëm 1 ose 2 mandate, ndërsa 4 vendet në Kuvend i mori “dhuratë” nga Berisha. Meta personalisht mori vetëm ~8 mijë vota preferenciale në Tiranë, shifër kjo që tregon se kapitali i tij personal i votave ishte i papërfillshëm. Kjo disfatë e plotë elektorale e 2025-ës e ka lënë Metën jashtë Kuvendit dhe praktikisht pa asnjë pushtet politik real.
Elektorati i LSI/PL dikur përbëhej kryesisht nga të rinj oportunistë të punësuar në administratë, nga mbështetës që përfitonin vende pune ose favore kur LSI ishte në koalicion qeverisës, si dhe nga vota të protestës kundër dy partive të mëdha. Sot, asnjë prej këtyre kategori nuk qëndron më pas PL-së. Të punësuarit klientelistë janë rikthyer tek PS ose kanë braktisur politikën. Votat e protestës janë orientuar diku tjetër. Në aspektin ideologjik, Partia e Lirisë nuk arrin të flasë për asnjë kauzë konkrete shoqërore. Ajo nuk mbron më as interesat e ndonjë shtrese dhe nuk ka ndonjë mesazh origjinal. Programi i saj politik reduktohet në slogane të përgjithshme kundër korrupsionit dhe patriotizëm simbolik, pa ndonjë plan real veprimi. Retorika anti-korrupsion e Metës tingëllon e pabesueshme në sytë e publikut, po të kemi parasysh akuzat për korrupsion të ngritura kundër tij vetë.
Në arenën politike shqiptare, Partia e Lirisë praktikisht ka mbetur pa profil: as e majtë, as e djathtë, as konservatore, as progresiste thjesht një sigël boshe që i shërbeu karrierës së Metës dhe rrethit të tij, por që tashmë nuk ka më as mbështetje popullore dhe as mision të dallueshëm. Tallja e elektoratit opozitar me këto numra votuesish vetëm sa e ka thelluar bindjen se Meta nuk gëzon një mbështetje reale. Partia e Lirisë nuk zotëron më “pengje politike” për t’u këmbyer as vota vendimtare në Kuvend, as ndonjë pozicion pa të cilin nuk bëhet qeveria.
Shumë prej të rinjve që u rritën politikisht në LSI ose kanë ikur jashtë vendit, ose iu bashkuan partive të tjera pasi panë që LSI/PL s’ka të ardhme. Edhe ato figura relativisht të reja që ende qendrojnë në PL nuk kanë profil lideri kombëtar: p.sh. Erisa Xhixho dhe Tedi Blushi (të cilët morën mandatet e fituara në Tiranë) janë thjesht zëdhënës të linjës së Metës, pa ndonjë karizëm apo bazë të tyren. Jo vetëm faktorët elektoralë dhe organizativë, por edhe ata moralë e institucionalë kanë vulosur fundin e kapitulllit politik të Ilir Metës.
Së pari, lidhja e ngushtë e Metës me Sali Berishën vitet e fundit i solli më shumë dëm sesa dobi reputacionit të tij. Në përpjekje për të mbijetuar politikisht pas daljes nga Presidenca, Meta zgjodhi të bashkohej hapur me Berishën, ish-kundërshtarin e tij të dikurshëm, duke krijuar një front të përbashkët opozitar kundër Edi Ramës. Mirëpo, Berisha në vetvete është një figurë e diskredituar ndërkombëtarisht (i shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania për korrupsion). Duke u renditur krah Berishës, Meta automatikisht humbi mbështetjen e faktorëve ndërkombëtarë dhe të elektoratit gri. Opozita “Meta-Berisha” u perceptua gjerësisht si “koalicioni i të inkriminuarve” ose i “të vjetrëve” që kërkojnë rikthim, jo si një shpresë e re.
Së dyti, akuza dhe hetimet penale kundër Ilir Metës e diskredituan rëndë autoritetin e tij moral. Në tetor 2024, Meta u arrestua me urdhër të SPAK nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash në tre çështje kryesore. Po ashtu, janë zbuluar pagesa të dyshimta lobimi në SHBA dhe fshehje të ardhurash që rëndojnë akuzat ndaj tij.
Shqipëria po kalon një proces të vonuar të pastrimit të tranzicionit. Figurat emblematike të viteve ’90 e 2000 (Nano prej kohësh jashtë loje, Berisha i ndëshkuar nga vota dhe sanksionet) po dalin gradualisht nga skena. Ilir Meta, si një nga “trinomi” i tranzicionit, iu shtua listës së politikanëve të konsumuar përfundimisht nga pushteti i gjatë pa reforma të brendshme. Zgjedhjet e 11 majit 2025 shënuan mbylljen e kapitullit të tij politik: Meta mbeti pa asnjë bazë votuesish, pa përfaqësim ideologjik dhe pa asnjë rol institucional. Historia e tij politike dikur e mbushur me intriga, aleanca dhe postet më të larta u mbyll me një epilog të zymtë, ku ish-presidenti dhe ish-kryeministri i burgosur dhe në pritje të dënimit penal, nuk arrin dot as të zgjidhet deputet. Ky është fundi simbolik i një epoke dhe një mesazh i qartë se kapitali politik nuk mund të ndërtohet pafundësisht mbi lojëra pushteti: në mungesë të parimeve dhe mbështetjes së sinqertë popullore, çdo karrierë politike, sado e gjatë, eventualisht konsumon vetveten.







