Thellë në xhunglën e Guatemalës ndodhen mbetjet e një qyteti të lashtë, i harruar për afro 3,000 vjet, zbulojnë ekspertët.
Qyteti, i quajtur “Los Abuelos”, shtrihet në një sipërfaqe prej 16 kilometrash katrorë dhe mendohet të jetë themeluar që në vitin 800 para erës sonë.
Ekspertët e Ministrisë së Kulturës së Guatemalës konfirmojnë se qyteti është i qytetërimit të lashtë Maya, një prej civilizimeve më të zhvilluara të botës indigjene në Amerikën Qendrore.
Prania e piramidave dhe monumenteve sugjeron se bëhej fjalë për një vend ceremonial të rëndësishëm, ku mund të jenë kryer edhe flijime njerëzore brutale.

“Siti paraqet planifikim arkitektonik të jashtëzakonshëm,” deklaron ministria, duke theksuar se piramidat dhe monumentet janë të zbukuruara me ikonografi unike të rajonit.
Civilizimi Maya, që e ka origjinën rreth vitit 2600 para erës sonë, lulëzoi për afro tre mijë vjet në Amerikën Qendrore dhe Jugore, duke arritur kulmin midis viteve 250 dhe 900 të erës sonë.
Ai shtrihej në territorin e sotëm të Meksikës jugore dhe Guatemalës, si dhe në pjesë të Belize, Salvadorit dhe Hondurasit.

Por rreth vitit 1000 të erës sonë, civilizimi Maya u shemb në mënyrë misterioze – ndoshta për shkak të një thatësire shkatërrimtare që solli krizë bujqësore.
Qyteti i humbur i Los Abuelos ndodhet në rezervatin natyror të Biosferës Maya (Reserva de Biosfera Maya), rreth 20 kilometra larg Uaxactun-it në Guatemalë.
Ai u zbulua nga arkeologë guatemalas dhe sllovakë në një zonë ende pak e eksploruar të xhunglës, që është habitat i shumë specieve shtazore dhe bimore.

Autoritetet e kanë datuar këtë qytet në periudhën 800–500 para erës sonë – e njohur si periudha “Paraklasike e Mesme” në historinë Maya.
Për ta vendosur këtë në kontekst, viti 800 para erës sonë përkon me kohën kur banorët e Britanisë nisën të përdornin hekurin për vegla, disa shekuj përpara se të mbërrinin romakët.
Emri “Los Abuelos” (Spanjisht për “Gjyshërit”) rrjedh nga dy skulptura misterioze me pamje njerëzore që u përshkruan si një “çift paraardhësish” dhe që u gjetën në vend.


Figurat, të datuara midis viteve 500 dhe 300 para erës sonë, “mund të jenë të lidhura me praktika rituale të adhurimit të paraardhësve,” sipas ministrisë.
Dihen mirë ritualet e Mayave: vallëzim, këndim dhe flijime gjaku për të nderuar perënditë e tyre të shumta.
Por ende nuk është e qartë se çfarë përfaqësonin këto struktura dhe si shërbenin saktësisht në këto rite.
Maya-t e shihnin gjakun si një burim fuqie për perënditë dhe besonin se sakrificat njerëzore do të sillnin shi dhe pjellori.
Fatkeqësisht, sipas mbetjeve skeletore të gjetura në një piramidë të famshme Maya, disa nga viktimat e këtyre ritualeve ishin fëmijë të vegjël.

Arkeologët guatemalas dhe sllovakë gjithashtu zbuluan një piramidë 33 metra të lartë, e zbukuruar me murale nga periudha Paraklasike dhe me një sistem unik kanalesh.
Dijetarët e dinë tashmë se Maya-t kishin zhvilluar teknika të sofistikuara për shfrytëzimin e burimeve natyrore të ujit, duke ndërtuar sisteme të ndërlikuara ujitjeje dhe përshtatur jetën me ritmin e shirave sezonalë.
Maya-t njihen për të vetmen gjuhë të shkruar të zhvilluar në mënyrë të plotë në Amerikën parakolumbiane, si dhe për artin, arkitekturën, matematikën dhe sistemet astronomike të avancuara.
Në mënyrë misterioze, në shekujt VIII dhe IX të erës sonë, një pjesë e madhe e civilizimit Maya u shemb, çka çoi në rrënimin e tij përfundimtar rreth vitit 1000 të erës sonë.
Arsyet për këtë rënie janë ende subjekt debatesh të forta, por ndryshimet klimatike dhe thatësira mbeten ndër teoritë më të besueshme.

Sipas një hipoteze, rritja e varësisë së elitës Maya nga misri i ka bërë më të ndjeshme ndaj thatësirave, duke nxitur kolapsin e shoqërisë.
Ekspertët e Ministrisë së Kulturës së Guatemalës thonë se këto zbulime “na lejojnë të rishikojmë kuptimin e organizimit ceremonial dhe socio-politik” të rajonit në periudhën para-hispanike – përpara pushtimeve spanjolle të shekullit të 16-të.
Ky zbulim vjen pas identifikimit të një qyteti tjetër Maya në Meksikë, i cili dikur përfshinte më shumë se 6,500 struktura. Duke përdorur teknologjinë me laser, studiues amerikanë zbuluan një metropol prej 55 kilometrash katrorë me piramida, shtëpi dhe infrastrukturë të fshehur prej më shumë se 3,000 vitesh.
Shkencëtarët gjithashtu kanë zbuluar së fundmi një altar 1,000-vjeçar nga kultura antike Teotihuacan në Meksikë, pranë Tikalit, rreth 23 km në jug të Uaxactun-it.

Ky zbulim interpretohet si provë e lidhjeve ndërmjet dy kulturave para-hispanike, të cilat ndodheshin rreth 1,300 km larg njëra-tjetrës.
Tikal është siti kryesor arkeologjik në Guatemalë dhe një nga atraksionet më të mëdha turistike të vendit.







