FLASH :

Frika e Berishës nga Jorida Tabaku, vë Alimehmetin të kërkojë rinumërim të votave

Partia Demokratike, në vend që të jetë e fokusuar në ndërtimin e një alternative përballë qeverisë pas 12 viteve të Edi Ramës në pushtet, po përballet me një tjetër krizë të brendshme. Pas betejave të gjata për selinë, problemit të vulës dhe sfidës që paraqet statusi “non grata” i Sali Berishës, tani janë vetë kandidatët e saj që po përplasen për rezultatin zgjedhor.

Tre kandidatët e PD-së në listën e hapur për qarkun e Tiranës Lir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj dhe Lisandër Hoxha, kanë depozituar një kërkesë pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), ku kërkojnë rinumërimin e votave për të gjithë qarkun.
Në shkresën zyrtare, Alimehmeti nënvizon se gjatë verifikimit të pamjeve filmike nga qendrat e votimit janë evidentuar disa parregullsi që, sipas tij, mund të kenë ndikuar ndjeshëm në rezultatin final. Në një rast konkret, ai përmend një qendër votimi ku 27 vota preferenciale të tij janë regjistruar gabimisht në tabelën përmbledhëse si 0, ndërsa i janë kaluar një kandidati tjetër.

Krahas këtyre tensioneve, vlen të theksohet edhe performanca e lartë elektorale e Jorida Tabakut, e cila arriti të marrë më shumë vota preferenciale se Ilir Meta ish-kryeministër dhe ish-president i vendit. Me gjasë, Tabaku do të kishte marrë më shumë vota edhe se vetë Sali Berisha, nëse ky i fundit do të kishte pasur guximin dhe burrërinë të garonte në listën e hapur si kandidat, dhe jo të fshihej pas emrit të partisë.