FLASH :

Gazetari i njohur gozhdon ambasadoren izraelite: Po vrisni fëmijë!

Ambasadorja e Izraelit në Britaninë e Madhe, Tzipi Hotovely, deklaroi se “Izraeli nuk vret fëmijë” dhe se “nuk synon kurrë civilët”, gjatë një interviste me gazetarin britanik Piers Morgan në emisionin e tij Uncensored, të transmetuar të mërkurën. Kur u përball me pyetje të drejtpërdrejta për vrasjet masive të civilëve në Gaza, Hotovely e cilësoi akuzën si një “libër gjaku” ndaj një “shteti demokratik që kujdeset për të drejtat e njeriut”, duke ia hedhur përgjegjësinë e viktimave civile Hamasit.

Komentet e saj vijnë në një moment kur UNICEF ka konfirmuar se mbi 50 mijë fëmijë janë vrarë apo plagosur në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, duke e cilësuar situatën si një tragjedi humanitare të paprecedentë.

Përplasja mes Hotovely dhe Piers Morgan ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, me shumë përdorues që e akuzojnë ambasadoren për mohimin e realitetit dhe për mungesë ndjeshmërie ndaj viktimave të luftës.

Në një moment të intervistës, Morgan e pyeti direkt: “Si mund ta mohoni vrasjen e fëmijëve kur organizatat ndërkombëtare flasin për mijëra viktima të mitur?” Hotovely iu përgjigj duke e quajtur këtë një “retorikë të rreme” që nuk reflekton, sipas saj, “përpjekjet e Izraelit për të shmangur viktimat civile”.

Ndërkohë, organizatat ndërkombëtare të ndihmës vazhdojnë të raportojnë për intensifikimin e ofensivës izraelite dhe për një krizë të thellë humanitare në Gaza, ku fëmijët mbeten më të goditurit nga dhuna dhe bllokada.