Rreperi i famshëm britanik i zhanrit drill, Digga D – emri i vërtetë i të cilit është Rhys Herbert – është dënuar sërish, këtë herë për ngarje të një Lamborghini prej 200 mijë paundësh pa siguracion pranë Piccadilly Circus në Londër. Episodi ndodhi në tetor 2023, pak para se ai të përfundonte në burg për trafik droge. Ai po vuan një dënim prej gati katër vitesh në HMP Brixton për importimin dhe shpërndarjen e 45 kg kanabis të ardhur nga SHBA, ndërsa pamjet e arrestimit të tij u shpërndanë gjerësisht pasi ai po transmetonte “live” momentin kur policia bastisi banesën e tij.
Megjithëse vetëm 24 vjeç, Digga D ka një histori të gjatë përplasjesh me ligjin, përfshirë episode të dhunshme me thika, posedim armësh dhe përfshirje në grupe kriminale. Ai është gjithashtu një nga të paktët artistë që ka qenë objekt i një urdhri të posaçëm nga policia, që i kufizon përmbajtjen e këngëve për shkak të nxitjes së dhunës. Në një nga rastet më të përfolura, ai dhe anëtarët e grupit të tij “1011” u ndaluan me machete dhe shkopinj bejsbolli, teksa po shkonin të sulmonin një bandë rivale në Shepherd’s Bush – një ngjarje që e bëri Digga-n simbol të debatit mes lirisë artistike dhe sigurisë publike. Ndërkohë që fansat e tij vazhdojnë ta adhurojnë – madje një herë edhe pushtuan sheshin Piccadilly për një klip – për kritikët ai mbetet një ikonë e rrezikshme e glorifikimit të dhunës në rrugët britanike.







