Të paktën dy fshatra të tjerë zviceranë janë në rrezik të zhduken nga përmbytjet, pasi një fshat u mbulua pothuajse tërësisht nga miliona tonë mbeturinash pas një shembjeje katastrofike të akullnajës.
Një segment i akullnajës Birch në rajonin Valais të Zvicrës jugore u shkëput dje, duke sjellë një ortek të frikshëm me shkëmbinj, akull dhe dhe, që u përplas me shpejtësi të madhe në luginën poshtë.

Pamje tronditëse tregojnë një re të madhe pluhuri mbi fshatin Blatten, ndërsa rrënojat përpinë shtëpitë alpine dhe i mbulojnë plotësisht. Popullsia prej rreth 300 banorësh ishte evakuuar paraprakisht, por 90% e fshatit tani është zhdukur dhe një person konsiderohet ende i zhdukur.
Ekspertët kanë paralajmëruar për një rrezik të ri: rrëshqitja ka bllokuar lumin Lonza, duke krijuar një digë natyrore që mund të çahet në çdo moment dhe të sjellë një “valë gjigante”.
“Ka rrezik serioz për një bllokim akulli që mund të përmbytë të gjithë luginën”, tha Antoine Jacquod, zyrtar sigurie në ushtrinë zvicerane për agjencinë Keystone-ATS.
Banorët e dy fshatrave poshtë lumit, Kippel dhe Wiler, janë evakuuar si masë paraprake, ndërsa autoritetet shqyrtojnë mundësinë e evakuimeve më të gjera.
Pamjet ajrore të marra me helikopter mbi Blatten zbulojnë shkallën e plotë të shkatërrimit dhe rrezikun që kërcënon fshatrat fqinjë.
“Uji i lumit Lonza nuk mund të rrjedhë në luginë për shkak të këtij ‘tapë’ gjigant,” shpjegon Raphael Mayoraz, zyrtar kantonal për menaxhimin e rreziqeve natyrore.


“Është si një mal, dhe krijon një liqen që po rritet dita-ditës,” shton Christoph Hegg nga Instituti Federal Zviceran për Pyje, Dëborë dhe Kërkime mbi Peizazhin (WSL). “Nëse presioni mbi digën bëhet shumë i madh, ajo do të çahet dhe uji do të shpërthejë, duke marrë me vete gjithçka në rrugën e vet.”
Qeveria kantonale e Valais ka kërkuar ndihmën e ushtrisë për të sjellë pajisje pastrimi dhe pompa për të ulur nivelet e ujit dhe për të stabilizuar shtratin e lumit.
Sipas autoriteteve, depozita e mbeturinave është shumë e paqëndrueshme, gjë që e bën ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të pamundur për momentin. Në rrezik janë të dy anët e luginës.
Fshati Kippel ka rrezik më të ulët për shkak të pozicionimit më të lartë të banesave, por një impiant i ri trajtimi të ujërave të zeza dhe një hidrocentral mund të shkatërrohen. Edhe një kamp pushimi që frekuentohet nga turistët ndodhet drejtpërdrejt në rrugën e përmbytjes.
Kryetari i Blatten, Matthias Bellwald, deklaroi: “E paimagjinueshmja ndodhi. E kemi humbur fshatin tonë, por jo zemrën.” Ai shtoi: “E dimë se ku ndodheshin shtëpitë dhe kisha jonë – aty do t’i rindërtojmë.”
Një politikan tjetër, Christophe Darbellay, tha për 20 Minuten: “Një hamlet është zhdukur nga harta.”

Një grua e moshës së mesme që qëndronte vetëm përpara një kishe në Wiler, tha për Reuters: “Nuk dua të flas. I humba të gjitha dje. Shpresoj të më kuptoni.”
Shefi i sigurisë në rajonin e Valais, Stephane Ganzer, tha për Canal 9 se ushtria është mobilizuar për të përballuar pasojat.
Shembja e akullnajës ishte paralajmëruar disa ditë më parë dhe shumica e banorëve kishin evakuuar më herët gjatë javës. Por sipas Mayoraz, “skenari më i keq ndodhi”.
Rreth 3 milionë metra kub material u grumbulluan në akullnajë dhe më pas u hodhën në luginë duke goditur shtëpitë.
Pamje nga droni të transmetuara nga televizioni SRF tregojnë një fushë të tërë të mbuluar me baltë dhe dhe, ndërsa lumi mezi dallohet duke rrjedhur përmes rrënojave.

Ngjarja ndodhi rreth orës 15:30 të së mërkurës kur një masë gjigante e akullnajës Birch u shkëput. Një burrë 64-vjeçar, banor lokal, rezulton ende i zhdukur.
Përpjekjet e kërkim-shpëtimit përfshinë ekspertë të transportuar me helikopter dhe përdorimin e dronëve me kamera termike. Por, “pavarësisht përpjekjeve të mëdha, burri nuk është gjetur ende,” njoftoi policia.
Komanda në Blatten tani supozon se i gjithë fshati është shkatërruar. Edhe shtëpitë që qëndronin ende në këmbë mendohet se janë përmbytur.
Ekspertët që folën për Reuters thanë se është e vështirë të përcaktohet saktësisht roli i ndryshimeve klimatike në këtë shembje, por rritja e temperaturave ka shkrirë përmafrostin në Alpe, duke dobësuar ndjeshëm stabilitetin e shkëmbinjve.
Profesori i klimës në Universitetin e Zyrihut, Christian Huggel, tha se ky është rasti më i rëndë i tillë në Alpet Zvicerane në një shekull. Ai theksoi se shkrirja e përmafrostit ka ndikim direkt në stabilitetin e malit dhe ka luajtur rol në këtë tragjedi.

Organizatat humanitare kanë reaguar: Caritas Zvicër dhe Kryqi i Kuq Zviceran ofruan 430 mijë euro ndihma për dëmet e pambuluara, ndërsa Shoqata për Mbështetjen e Komuniteteve Malore në Blatten (SPAM) ka planifikuar të japë mbi 1 milion euro ndihmë.
Sipas ekspertëve, në vitet 2022 dhe 2023, akullnajat zvicerane humbën po aq masë sa kishin humbur në të gjithë periudhën 1960–1990 – rreth 10% të vëllimit të tyre. Në fund të dimrit të këtij viti, bora që mbulonte akullnajat ishte 13% më pak se mesatarja 2010–2020.
Vetëm pak ditë më parë, pesë skiatorë u gjetën të vdekur mbi një akullnajë pranë Zermatt-it. Trupat e tyre u zbuluan mbi akullnajën Adler, të shpërndarë në nivele të ndryshme të mbetjeve nga një ortek.

Presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter, shprehu solidaritetin me banorët: “Është e tmerrshme të humbasësh shtëpinë tënde,” shkroi ajo në X. Autoritetet kanë mbyllur rrugën kryesore drejt luginës dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të mos i afrohen zonës.
Zvicra përballet me një prej krizave më të mëdha natyrore të dekadave të fundit – e shkaktuar, në pjesë të madhe, nga kriza klimatike që po shkrin themelet e saj më të thella: akullnajat.







