FLASH :

Michelle Obama promovon një teori të rrezikshme mbi autizmin dhe më pas përpiqet ta tërheqë mbrapsht deklaratën

Michelle Obama ka ndezur polemika pasi sugjeroi një lidhje mes spermës së plakur dhe rasteve të autizmit te foshnjat – përpara se të përpiqej ta tërhiqte deklaratën menjëherë.

Ish-Zonja e Parë bëri këtë koment befasues gjatë episodit të së mërkurës të podcast-it të saj IMO, të cilin e drejton së bashku me vëllain e saj të madh, Craig Robinson.

Gjatë një bisede me mjeken obstetër-gjinekologe Dr. Sharon Malone, Obama ngriti pyetjen nëse “ka ndonjë lidhje mes spermës së plakur dhe defekteve të lindjes”, përpara se të aludonte se republikanët do “të ndalonin kërkime për këtë çështje”.

Malone u përgjigj: “Ka disa të dhëna anekdotike që thonë se sperma e plakur…”.

Obama ndërhyri me një koment ironik: “Ndoshta duhet t’u themi disa njerëzve: ndoshta është sperma e vjetër, ndoshta nuk është vaksina që po shkakton autizmin, apo jo? Pse nuk e shikoni këtë?”

Më pas shtoi me humor: “Ata s’do ta zbulojnë kurrë këtë sekret. Ky mund të jetë çelësi pse po i heqin fondet kërkimeve. Që burrat e moshuar të vazhdojnë të martohen me 20-vjeçare. U premtojnë: ‘Do të të jap fëmijën që dëshiron.’”

Por menjëherë pas këtij komenti, Obama duket se u pendua dhe iu drejtua ekipit të produksionit duke thënë: “S’kemi pse ta mbajmë këtë pjesë në episod.”

Komentet e saj u interpretuan si një thumbim i drejtpërdrejtë ndaj Robert F. Kennedy Jr., Sekretarit të Shëndetësisë në administratën Trump dhe një promovues i njohur teorish konspirative, përfshirë pretendimet e pavërtetuara që vaksinat shkaktojnë autizëm ose se kimikatet në ujë ndikojnë tek identiteti gjinor i fëmijëve.

Megjithatë, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) theksojnë se “studimet kanë treguar se nuk ka lidhje mes marrjes së vaksinave dhe zhvillimit të çrregullimeve të spektrit të autizmit.”

Teoritë e Obama-s duket se ishin një sulm i tërthortë jo vetëm ndaj bindjeve antivaksinë të RFK Jr., por edhe ndaj moshës së tij – 71 vjeç – dhe stilit të jetës, pasi ai është i martuar me aktoren Cheryl Hines, 12 vite më e re, dhe ka gjashtë fëmijë nga martesat e mëparshme.

Një tjetër objekt i mundshëm i ironisë ishte Donald Trump, që në zgjedhjet e vitit 2024 u bë presidenti më i moshuar i zgjedhur ndonjëherë, në moshën 78-vjeçare. Trump ka pesë fëmijë, përfshirë edhe Barron Trump, 19 vjeç, i lindur kur ai ishte 60.

Disa përdorues liberalë në rrjete sociale kanë spekuluar – pa asnjë provë – se Barron mund të jetë autik, gjë që Melania Trump e hodhi poshtë në mënyrë të prerë në kujtimet e saj: “Nuk ka asgjë të turpshme në autizëm… por Barron nuk është autik.”

Podcast-i i Michelle Obama-s u publikua vetëm një ditë pasi RFK Jr. njoftoi se vaksinat kundër Covid-19 nuk do të rekomandohen më për fëmijët e shëndetshëm dhe gratë shtatzëna – një kthesë drastike nga udhëzimet e mëparshme që rekomandonin vaksinimin për të gjithë mbi 6 muajsh.

Në një video në platformën X, Kennedy tha: “Nuk mund të jem më i kënaqur për këtë vendim. Është logjikë e thjeshtë dhe shkencë e mirë.”

Kritikët kanë vënë prej kohësh në dyshim nevojën e vaksinës për fëmijët dhe të rinjtë, duke pasur parasysh rrezikun relativisht të ulët nga Covid për këtë grupmoshë. Ka pasur gjithashtu shqetësime për efekte anësore si miokarditi (inflamacion i zemrës), që ndonëse i rrallë, është më i zakonshëm tek të rinjtë.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) raportohet gjithashtu se po rishikon të dhënat për të parë nëse ka ende mbështetje shkencore për dozat përforcuese tek individët e shëndetshëm nën moshën 65 vjeç.