Një incident i rëndë ka ndodhur në aeroportin e Manchesterit, ku një pasagjer i zemëruar u përjashtua nga një fluturim i EasyJet drejt Kretës pas ofendimeve homofobike ndaj stafit dhe pasagjerëve të tjerë. Pamjet tronditëse tregojnë momentin kur një punonjës i aeroportit e godet pasagjerin me grusht në fytyrë, pas një varg sharjesh dhe kërcënimesh nga ana e këtij të fundit.
Pasagjeri, i cili ende nuk është identifikuar, dëgjohet në video duke bërtitur: “Je një mashtrues, je një prdhë… do ta heq kapelen nga koka me grusht!” Ai u bë gjithnjë e më agresiv pasi iu refuzua hyrja në avion, duke u përplasur edhe me pasagjerët që thjesht e shikonin, ndërsa i kërcënoi: “Do të të shtyp kokën me grusht, o kqir!” Një anëtar i stafit të EasyJet përpiqet ta qetësojë, por pasagjeri humbet kontrollin dhe kërcënon se do të godasë këdo që i del përpara.
Në kulmin e tensionit, një punonjës i aeroportit godet pasagjerin, ndërsa të tjerë ndërhyjnë për të ndaluar përshkallëzimin e situatës. Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe konfirmoi se personi problematik nuk u lejua të udhëtojë. EasyJet deklaroi për MailOnline se siguria e ekuipazhit dhe pasagjerëve mbetet prioritet absolut dhe se nuk tolerohet asnjë formë sjelljeje agresive apo diskriminuese.
Ky incident vjen pak javë pas një tjetër rasti shqetësues në një fluturim të Ryanair nga Manchesteri në Rodos, ku një pasagjer i dehur u bë agresiv gjatë uljes, duke detyruar avionin të anulojë zbarkimin dhe të bëjë një rrethim shtesë. Stafi dhe pasagjerët u detyruan ta mbërthenin me rripa rezervë, ndërsa policia e arrestoi sapo avioni preku tokën.
Kompania Ryanair nënvizoi sërish politikën e saj të tolerancës zero ndaj sjelljeve të pahijshme dhe bëri thirrje për kufizimin e konsumimit të alkoolit para fluturimit, për të shmangur incidente të tilla që rrezikojnë jetën dhe sigurinë në bord.










