FLASH :

Hailey Bieber shitet për 1 miliard dollarë: Rhode bëhet pjesë e perandorisë E.l.f. Cosmetics

Hailey Bieber sapo ka hyrë në klubin e miliarderëve. Marka e saj e bukurisë dhe kujdesit të lëkurës, Rhode, është blerë nga gjigandi amerikan E.l.f. Cosmetics për një shumë marramendëse prej 1 miliard dollarësh.

Në një marrëveshje që shënon një nga shitjet më të mëdha të një brandi të ri në industrinë e kozmetikës, E.l.f. njoftoi se Rhode – e nisur nga Hailey në qershor 2022 me vetëm tre produkte – tashmë do të bëhet pjesë e portofolit të saj në rritje.

“Rhode është një markë e bukur, me potencial për rritje të jashtëzakonshme,” deklaroi drejtori i përgjithshëm i E.l.f., Tarang Amin. “Ne pamë tek Hailey një frymë inovative dhe një brand që thyente barrierat e industrisë së bukurisë, krejtësisht në përputhje me vizionin tonë.”

Pavarësisht shitjes, Bieber do të mbetet në krye të krijimtarisë së markës, duke ushtruar funksionin e Chief Creative Officer dhe Head of Innovation, ndërsa do të shërbejë edhe si këshilltare strategjike për E.l.f. Beauty.

Në një postim në Instagram, Hailey shkroi: “Kur e krijova Rhode, ëndërroja që një ditë t’ia sillja këtë markë gjithë botës. Tani, me partneritetin tonë me E.l.f., kjo ëndërr po bëhet realitet.” Ajo falënderoi ekipin e saj dhe ndjekësit që e mbështetën gjatë gjithë rrugëtimit, duke shtuar se “kjo është vetëm fillimi.”

Lajmi për marrëveshjen vjen vetëm një muaj pasi Bieber kishte angazhuar bankat J.P. Morgan dhe Moelis për të kërkuar opsione shitjeje që do e vlerësonin kompaninë me të paktën 1 miliard dollarë – një objektiv që shumëkush e konsideroi tepër ambicioz, sidomos në krahasim me marka të tjera të famshme si Rare Beauty e Selena Gomez apo Makeup by Mario.

Megjithatë, shifrat flasin vetë. Sipas Fortune, në vetëm 12 muajt e fundit, Rhode ka gjeneruar mbi 212 milionë dollarë në shitje neto, dhe në vjeshtë pritet të zgjerohet në të gjitha dyqanet Sephora në SHBA, Kanada dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërsa Hailey feston suksesin, burri i saj, Justin Bieber, tërhoqi sërish vëmendjen, këtë herë për një mesazh kontravers në Instagram. Ai kujtoi një debat të vjetër mes tyre, duke pranuar se dikur i kishte thënë Hailey-t se “nuk do të dilte kurrë në kopertinën e Vogue.” Komenti u cilësua si i pavend nga ndjekësit dhe solli reagime të shumta kritike – aq sa Justin më pas e fshiu postimin.

Pavarësisht zhurmës së krijuar rreth jetës personale, Hailey ka provuar se është një forcë më vete në botën e biznesit. E lindur si modele dhe e rritur në skenën e famës, ajo tani ka vulosur emrin e saj në industrinë miliardëshe të bukurisë – duke kaluar nga statusi i influencueses në atë të sipërmarrëses globale.

Në një treg gjithnjë e më të ngopur me marka të famshëmsh, shitja e Rhode për 1 miliard dollarë nuk është vetëm një arritje financiare – por një precedent i ri për fuqinë e një brandi të ndërtuar me vizion, autenticitet dhe një ndjekje të fuqishme online.